A po dorëzohet Vetëvendosje nga ideja e krijimit të qeverisë pa partitë e mëdha opozitare?- Analistët paralajmërojnë edhe zgjedhjet e reja

Më pak se një javë ka mbetur, kur deputetët e zgjedhur të Kuvendit të Kosovës do të mbajnë seancën konstituive të Kuvendit, ku do të zgjidhet kryeparlamentari dhe pritet t’i jepet drejtim formimit të Qeverisë së Kosovës.
E ndonëse po i afrohemi shumë kësaj seance, Lëvizja Vetëvendosje e cila ka dal e para nga zgjedhjet e 9 shkurtit ende nuk i ka siguruar votat e mjaftueshme për qeverinë e ardhshme.

Kjo pasi të njëjtit si fillim tentuan të krijonin të vetëm qeverinë- gjë e cila nuk doli ashtu e më pas menduan se kjo do arrihet me votat e komuniteteve gjë e cila po ashtu rezultoi e pamundur.

Kryeministri në detyrë i Kosovës Albin Kurti njëherit edhe kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, në vazhdimësi ka mbajtur takime me kryetarët e partive të minoriteteve ku mësohet se vetëm disa prej tyre ia kanë premtuar votën- ndërsa disa të tjerë i kanë vendosur kushte.

Duke qenë se ende nuk është i sigurtë a do të mund të udhëheq apo jo shtetin e Kosovës, duke bashkëpunuar vetëm me komunitete, Kurti i ka dërguar ftesë për takim të parit të LDK-së, Lumir Abdixhiku.

Kurti në ftesën e dërguar Abdixhikut i dha si mundësi disa orare të ndryshme për takim (cilado që do i konvenonte) liderit të LDK-së.

Por pas pranimit të kësaj ftese, Abdixhiku ka mbledhur në takim disa nga nënkryetarët e partisë ku edhe ka marrë vendimin për refuzimin e kësaj ftese, përgjigjen e së cilës e ka dhënë publikisht përmes një postimi në rrjetin social Facebook.

“Mes ‘hajvanatit’, ‘mbytjes së LDK-së’, ‘bashkëpunëtorëve të Serbisë’, mes moçalit të madh të pështymave ndaj nesh – unë, LDK dhe votuesit tanë – nuk e gjejmë veten as për konsultim. Sepse fjalët, si edhe bindjet, kanë peshë. Fjalët e thëna ndaj nesh kanë peshë. Dhe fjalët tona – ato që u kemi dhënë qytetarëve tanë, atyre që nuk joshen nga spektakli i përçarjes por që besojnë se shteti ndërtohet me respekt e dinjitet – kanë peshën e fjalës së dhënë. Peshën e besës”, ka shkruar dje Abdixhiku.

Që e përkrahin atë, kanë thënë edhe disa nga deputetët e LDK-së, e një ndër ta edhe nënkryetarja Doarsa Kica-Xhelili.

Sipas Abdixhikut e deputetëve të tij, ky refuzim i tyre ka ardhur pas ofendimeve që kryeministri Kurti iu ka drejtuar atyre gjatë fushatës dhe pas saj.

Por nëse as minoritetet nuk i japin votë, e as LDK të cilën e ka ftuar, si do të formoj Kurti Qeverinë?

Analisti politik, Avni Arifi ka thënë për lajmi.net se Kosova nuk mund të ketë Qeveri vetëm me VV-në, minoritetet joserbe dhe ndonjë deputet të rekrutuar me “prostitucion politik” dhe sipas tij nëse kjo bëhet, kjo nuk do të ishte Qeveri.

Ai ka thënë se arsyeja pse partitë opozitare nuk duan të bashkëpunojnë me Kurtin është sepse ato e dinë se në këtë formë e dëmtojnë rëndë Kosovën dhe se do të duhej t’i nënshtroheshin tërësisht.

Ndërsa ftesat e Kurtit, Arifi i ka quajtur të “pakuptimta” e të “padinjitetshme”, e që sipas tij nuk kanë asnjë rezultat.

“Kosovën mund ta shpëtoj një Qeveri e opozitës e cila i ka numrat dhe sado që është fragjile dhe potencialisht afatshkurtër, sigurt i sjell të mira Kosovës, por edhe vet subjekteve politike opozitare që e formojnë atë”, ka thënë Arifi.

Nëse Kurti do të arrij apo jo ta formoj Qeverinë, për lajmi.net ka folur edhe analisti politik, Halil Matoshi.

“Mendoj se Albin Kurti nuk është i interesuar të bëjë Qeveri të qëndrueshme përmes koalicionit dhe ai do ta shpjerë vendin në zgjedhje të reja të parakohshme kombëtare”, ka thënë Matoshi.

Ai ka thënë se këto zgjedhje do të mbahen në vjeshtën e këtij viti, bashkë me zgjedhjet komunale.

Formimi i Qeverisë së Kosovës po shihet vështirë i realizueshëm edhe nga vetë deputetët e VV-së.

Kryeparlamentari në detyrë dhe njëherit edhe nënkryetari i VV-së, Glauk Konjufca para mediave ka thënë se “kanë pritur rezultat tjetër” nga ai që e kanë marrë nga zgjedhjet e 9 shkurtit.

“Ne kemi qenë transparent qëllimi ka qenë me vazhdu qeverisje siç e kemi, mundësisht pa partitë tjera opozitare dhe pastaj ti e merr rezultatin e zgjedhjeve e sheh se s’ke arrit këtë qellim. Pra kjo është demokracia, ke pas qëllim s’ke mund e pastaj e modifikon rrugën, s’është kurrfarë s’është mëkat në demokraci ti vendos një qëllim kemi pas qëllimin 500 mijë vota s’kemi arritur atë pra tash është skenar tjetër, është skenar B”, ka thënë Konjufca.

Ai ka komentuar edhe letrën që i kanë dërguar LDK-së, e për të cilën ka thënë se nuk është “kontradiktë”.

“Partitë e komuniteteve kanë qenë pjesë e koalicionit dhe pyetja e kryeministrit është a janë të gatshëm të vazhdojnë njësoj, pra është krejt normale dhe pastaj kalohet te këta që s’kanë qenë e kanë refuzuar e që pajtohem se mund të jetë më e vështirë arritja e nja marrëveshje”, tha Konjufca, transmeton lajmi.net.

Ai tha se problemi është nëse pakicat jo serbe do të thoshin jo e kjo krijon matematika të tjera.

“Më mirë është të shkohet me rend, e qasja e kryeministrit ka qenë që të shkohet me rend. E ka zgjedhur LDK-në që t’i drejtohet të parës. Pra është pak privilegjuese, me t’u drejtu i pari për shembull. Mendoj se një qeveri e ardhshme e Kosovës kur krijohet janë dy skenarë – një vijë të demarkacionit në mes këtyre dy skenarëve. Ose skenari i qeverisë së shkurtër që qeverisë deri në zgjedhjen e presidentit – ose është skenari i dytë i krijimit të një qeverie që është e aftë me e zgjedhë edhe presidentin. Pra janë dy skenarë të përgjithshëm. Cilin skenar e përqafon VV-ja s’mund t’ua them këtë, sepse unë ‘skam dal si nënkryetar i VV-së, por në kuadër të postit në Kuvend e që është detyra ime e fundit sa i përket mbledhjes së sotme. Sa i përket detajeve për koalicionet e këto duhet të vini në VV”, shtoi ai.

Konjufca tha se bisedimet po vazhdojnë dhe se s’do të flasë me numra se sa kanë përkrahje, pasi sipas tij “s’do të ishte korrekte”

Ai ka thënë se deri tani nuk kanë pasur takime me partitë opozitare, dhe i vetmi hap drejt tyre ka qenë ftesa ndaj LDK-së, e që sipas tij nuk dihet nëse do të ketë apo jo ftesë ndaj PDK-së.

“Nuk mund të konfirmoj nëse do të ketë ftesë për PDK-në, por duhet të keni parasysh një gjë se s’është e rastësishme që Kurti i është drejtuar Abdixhikut. Pra nuk është shkuar në bazë të çështjeve teknike-sepse ashtu i është drejtuar PDK-së. Por kryeministri e ka pasur një qëllim kur i është drejtuar LDK-së”, shtoi ai.

E që partinë nuk po munden ta formojnë vetëm më komunitete, dje ka deklaruar edhe deputetja e Alternativës dhe shefja e grupit parlamentar të VV-së, Mimoza Kusari Lila.

“Nuk është më e lehtë, është pak më e vështirë, qysh e kemi pa – numrat e tregojnë që vetëm me komunitetet joshumicë, si herën e kalume, nuk ka me qenë e mjaftueshme ose nuk është e mundshme të arrihet numri 61 i minimumit që duhet për një Qeveri të votohet. Prandaj kjo është tashmë një punë e cila ka me vazhdu procesin dhe e cila ka me shty përpara gjithsesi diskutim të mëtutjeshëm mbi formën e mënyrën e arritjes së këtij numri”, deklaroi Kusari-Lila.

Se nuk do të bëjnë koalicion me VV-në, në vazhdimësi e kanë konfirmuar edhe nga PDK e AAK, e që Kurtit i janë shuar shpresat për bashkëpunim me opozitën.

Disa ditë pas përfundimit të zgjedhjeve, kreu i PDK-së, Memli Krasniqi pati thënë se nuk bëjnë koalicion me VV-në, pasi sipas tij nuk i lidh asgjë mes tyre.

“Jo, nuk shkojmë në koalicion. Pikë. Në asnjë formë. Pikë. Nuk bëjmë koalicion me Vetëvendosjen, sepse nuk na lidh asgjë. Në kuptim as program, e as parimor, e as në kuptimin qysh e shohim të kaluarën, e aq më pak qysh e shohim të ardhmen. Ne nuk kemi pika që kishin me na bë bashkë”, pati thënë Krasniqi.

Ndërsa nënkryetari i AAK-së, Ardian Gjini përsëri ka thënë se duan një qeveri të opozitës.

“Ne nuk e kemi në plan të ia mundësojmë Kurtit të qeverisë,” tha ai, duke shpjeguar se ekzistojnë votat e mjaftueshme për krijimin e një qeverie nga opozita. “Ne mendojmë që duhet të krijohet një qeveri nga opozita, nuk marrim më shumë barrë sesa që kemi,” ka thënë Gjini, duke shtuar se “nuk jemi të parët, përndryshe kishim filluar të dërgonim ofertat.”

Vazhdimisht në media është raportuar se kryetari i NISMA-s, Fatmir Limaj i ka premtuar Kurtit votën e tre deputetëve të tij nëse Kurti ia realizon disa kërkesa.

Kjo ende nuk është konfirmuar as nga NISMA e as nga partia në pushtet.

15 prilli kur do të mbahet edhe seanca konstituive, do të jetë data kur do të dihet së kush me kë do të bashkëpunoj në lidhje me formimin e institucioneve të vendit dhe drejtimin e tyre për një mandat të ri 4 vjeçar. /Lajmi.net/