Në një mesazh prekës, Bekim Jashari ka kujtuar heroizmin e grave të familjes Jashari, të cilat ranë gjatë sulmit të forcave serbe në Prekaz, në mars të vitit 1998.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, ai ka rrëfyer përpjekjet e tij për t’u lidhur me familjen në datat 5, 6 dhe 7 mars, por telefoni nuk u hap asnjëherë. Heshtja e asaj kohe, thotë ai, nuk mundi të paralajmëronte atë që po ndodhte në të vërtetë.
Më 8 mars, në vend të urimeve për gratë e familjes, ai mori lajmin e rëndë për rënien heroike të nënës Zahide, nënës Feride, Adiles, Zarifës dhe vajzave të familjes.
“Ato nuk ishin thjesht nënat, gratë dhe motrat e familjes sonë. Ato ishin shtylla që e mbanin shtëpinë të fortë, edukonin fëmijët me dashurinë për atdheun dhe qëndronin gjithmonë krah për krah me babën Shaban, balin Adem dhe babushin Hamzën”, shkruan ai.
Bekim Jashari thekson se gratë e familjes së tij nuk ishin vetëm mbështetëse, por edhe luftëtare të vërteta që refuzuan të largoheshin nga beteja dhe qëndruan me guxim deri në fund.
Për të dëshmuar atë çfarë ndodhi në Prekaz, Zoti la gjallë Besartën, motrën e tij, e cila mbetet dëshmitare e ngjarjeve të Epopesë dhe amaneti i atyre që sakrifikuan gjithçka për liri.
Në këtë Ditë të Gruas, ai ka uruar motrën e tij Besartën, si dhe bashkëshorten e tij, e cila me përkushtim vazhdon traditën e grave të familjes Jashari, duke edukuar fëmijët me të njëjtat vlera.
“Lavdi grave të familjes sonë! Lavdi grave të Kosovës që u bënë dritë në errësirën e luftës dhe qëndruan të pathyeshme deri në çlirim”, përfundon mesazhin e tij Bekim Jashari.