Për më shumë se 25 vjet, misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, ofron siguri. Por, në kohën kur zyrtarët amerikanë sinjalizojnë zvogëlimin e mundshëm të pranisë së tyre ushtarake në Evropë, lindin edhe pyetjet: a do të mbeteshin ushtarët amerikanë në KFOR, apo do të kërkonte administrata Trump favore në këmbim të tyre?
Nga Departamenti amerikan i Mbrojtjes thonë se tash për tash, nuk ka ndonjë ndryshim sa i përket pozicionimit të forcave të tyre.
Por, me tensionet e vazhdueshme në Ballkan dhe me ndryshimin e prioriteteve globale, Kosova duhet të përgatitet për çdo skenar, thonë ish-zyrtarë të NATO-s.
“Secili ushtar i KFOR-it e kupton plotësisht dhe qartë detyrën e tij për t’i mbrojtur të gjithë qytetarët e Kosovës”, deklaroi më 25 qershor të 1999-ës komandanti i atëhershëm i misionit paqeruajtës të NATO-s, Mike Jackson.
Kjo forcë nisi të dislokohej në Kosovë atë muaj, menjëherë pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Kumanovës, e cila detyroi tërheqjen e plotë të ushtrisë dhe policisë serbe nga Kosova.
Fillimisht përbëhej nga rreth 50.000 trupa, për të arritur me kalimin e viteve në rreth 4.600.
Më shumë se 25 vjet më vonë, misioni i saj mbetet i njëjtë: “ruajtja e një mjedisi të sigurt për të gjithë”, por e ardhmja e forcës disi e diskutueshme.
Një zyrtar nga Departamenti amerikan i Mbrojtjes konfirmon për Radion Evropa e Lirë se, “tash për tash, nuk ka asnjë ndryshim në pozicionimin e forcave për të njoftuar”.
Por, ish-zyrtari i lartë i NATO-s, Jamie Shea, thotë se presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, “është transaksional” dhe se mund të kërkojë nga Kosova favore në këmbim të mbajtjes së trupave.
“Ndaj, jini të përgatitur”, thotë Shea për Radion Evropa e Lirë.
Ish-komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Kadri Kastrati, vlerëson se vendi, aktualisht, nuk është në gjendje të vetëmbrohet.