AAK e “blindon” ulësen e pestë të deputetit, e konfirmon kandidati që ishte në garë të ngushtë me atë të Nismës

Kandidati i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) për deputet për zgjedhjet e 9 shkurtit, Lahi Brahimaj, ka konfirmuar se ka siguruar votat e nevojshme për mandatin për legjislaturën e ardhshme.

Brahimaj me anë të një shkrimi në ‘Facebook’ ka thënë se do të jetë zë i fuqishëm për një Kosovë të zhvilluar ekonomikisht.

“Falënderim i përzemërt për secilin prej jush që më besuat votën tuaj! Ky besim është përgjegjësi dhe zotim për punë të palodhur. Do të jem zëri juaj i fuqishëm për një Kosovë më të zhvilluar ekonomikisht, më të sigurt dhe me dinjitet të plotë ndërkombëtar. Garuam së bashku, vazhdojmë bashkë”, ka shkruar ndër të tjera ai.

Nëpërmjet kësaj, është konfirmuar se AAK do të ketë pesë ulëse të deputetëve në Kuvendin e Kosovës, teksa Nisma me të cilën kishte bërë koalicion parazgjedhor tri.

Brahimaj ishte në garë të ngushtë me kandidatin Vesel Krasniqi. Nga rezultatet e shpallura në platformën elektronike të KQZ’së, Brahimaj ka marrë në total 12,737 vota ndërkaq Krasniqi 11,643 sosh.

Deputetët e ardhshëm të AAK’së: Ramush Haradinaj, Daut Haradinaj, Time Kadriaj, Bekë Berisha dhe Lahi Brahimaj.

Deputetët e ardhshëm të Nismës: Fatmir Limaj, Arbresha Krasniqi dhe Xhevahire Izmaku.