Deputetja e LDK-së, Doarsa Kica-Xhelili, ka deklaruar se prej 40 mijë votuesve të regjistruar dhe të deklaruar si votues të LDK-së nga mërgata, rreth 20 mijë prej tyre kanë votuar
Ajo ka falënderuar secilin që votoi LDK-në, pavarësisht pritshmërive më të mëdha që i kishin, shkruan IndeksOnline.
Por, çka i pengon Kica-Xhelilit është reagimi i LVV-së lidhur me këto vota.
Ajo thotë se nuk i penguan 80% e votave për ta në Konsulata e as ato “që i mbante lart e poshtë Martini”, por po i pengon që rreth 20 mijë nga mërgata i mori LDK-ja.
“Epo ja, le t’i pengojnë; le t’i çmendin!
Vota e mërgatës për LDK do të mbrohet nga akuzat e pabaza, sikurse u mbrojtën votat e LDK nga eksponentë të VV që shanin e ofshanin nëpër QNR t’i anulonin votat tona me çdo kusht”, u shpreh ajo.
Ky është postimi i plotë i saj:
Nga 40 mijë votues të LDK, të regjistruar e të deklaruar si votues tanët në degët tona në mërgatë, kanë votuar gjysma e tyre (rreth 20 mijë).
Tejet falënderues, megjithatë, ne kishim pritur më shumë! Degët e strukturat tona ishin angazhuar masivisht që në mërgatë t’i kthehej vota LDK-së, por arritëm përgjysmë rezultatin e synuar.
Por, pavarësisht që na u realizuan vetëm gjysma, edhe kjo po i pengon partisë në pushtet.
Nuk i penguan 80% e votës për VV në konsulata;
Nuk i penguan votat që i mbante lartë e poshtë Martini;
Nuk i penguan fletëvotimet për VV pa vule, e as dyshimet mbi trenin bulgar në plot komuna;
Nuk i pengonte Ministrja Gërvalla që përmes përfaqësive diplomatike organizonte tubime partiake;
Nuk po i pengon as tani kur eksponentë të VV e burri i ministres së drejtësisë sorollaten nëpër QNR si në bashqe, e kërkojnë nga zyrtarët e LDK të dalin jashtë “për t’i dalë fer”, si rrugaqë që vetëm në institucione publike s’e kanë vendin.
Por ama, atyre po i pengon që rreth 20 mijë vota të mërgatës i mori LDK.
Epo ja, le t’i pengojnë; le t’i çmendin!
Vota e mërgatës për LDK do të mbrohet nga akuzat e pabaza, sikurse u mbrojtën votat e LDK nga eksponentë të VV që shanin e ofshanin nëpër QNR t’i anulonin votat tona me çdo kusht.
Ngritja jonë prej 70 mijë votash është vetëm fillimi i ringritjes sonë! Dhe ata do të shajnë e ofshajnë për çdo rritje e ngritje tonën.