Arsim Bajrami, një nga hartuesit e Deklaratës së Pavarësisë dhe Kushtetutës së Kosovës, ka ndarë disa detaje ekskluzive për momentet historike që shënuan shpalljen e pavarësisë.
Një prej detajeve më interesante ka qenë se, fillimisht, ishte menduar që vetëm katër liderët shtetërorë do ta nënshkruanin Deklaratën e Pavarësisë, por Bajrami ka insistuar që gjithsej deputetët duhej të ishin ata që e nënshkruanin, duke theksuar se “Pavarësia dhe Deklarata janë vepra të popullit, dhe deputetët janë të zgjedhur nga populli, prandaj ata duhet ta nënshkruajnë”, deklaroi ai në Klan Kosova FM.
Një tjetër detaj ishte edhe vendimi për shpalljen e pavarësisë të dielën, një ditë pushimi.
Bajrami theksoi se ky ka qenë një hap i kujdesshëm për të shmangur mundësinë e ndonjë ndërhyrje nga Serbia, si dhe për të parandaluar ndonjë rezolutë të mundshme nga një nga pesë shtetet anëtare të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, që mund të sillte një mbledhje urgjente kundër pavarësisë.
Ky hap, sipas tij, ka pasur mbështetje të fortë nga SHBA-të, që e kishin synuar të befasonin gjithashtu Kinën dhe Rusinë.