Kompania “Artmotion” ka bërë një reagim në lidhje me komentatorin, Andin Lokaj i cili e filloi ndeshjen Juventus-Inter me fyerje ndaj Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti.
Artmotion përmes këtij reagimi shpreh keqardhje për komentet e pahijshme që ndodhën gjatë ndeshjes së Serie A, shkruan Indeksonline
Kjo kompani tashmë ka marrë masa disiplinore për Andin Lokaj.
Reagimi i plotë:
ArtMotion kërkon falje për incidentin gjatë komentimit të ndeshjes Juventus-Inter. ArtMotion shpreh keqardhje për komentet e pahijshme që kanë ndodhur nga komentatori Andin Lokaj në ndeshjen e luajtur sonte ne mes Juventus dhe Inter në kanalin Sport1.
Vlerësojmë se gjuha e komentatorit Lokaj ka qenë krejt e pavend dhe joprofesionale.ArtMotion sapo ka vërejtur se çka po ndodh ka marrë menjëherë masa për ta ndërruar komentatorin, duke e zëvendësuar me komentatorin Arbon Flugaj, i cili ka vazhduar komentimin deri në fund të ndeshjes.
ArtMotion ka inicuar procedurën e masës disiplinore për këtë lëshim të rëndë profesional ndaj komentatorit Lokaj.
ArtMotion distancohet nga kjo sjellje, shpreh keqardhje të thellë për incidentin dhe iu kërkon falje të gjithë atyre që e kanë shikuar ndeshjen.