MrBeast fitoi qasje në pjesët e ndaluara të piramidave të Gizës, në pak ditë videoja grumbulloi gati 80 milionë shikime

YouTuberi i njohur MrBeast ka publikuar një video në të cilën ai dhe kolegët e tij Chandler HALLOW, Karl Jacobs dhe Nolan Hanson eksplorojnë Piramidat e Gizës.

Videoja në vetëm tre ditë ka grumbulluar pothuajse 80 milionë shikime në YouTube.

“Nuk më besohet se na është lejuar ta bëjmë këtë”, shkroi vlogeri i famshëm në përshkrimin e videos.

Videoja 21-minutëshe fillon me MrBeast duke thënë se ai “ka akses të pakufizuar në të gjitha piramidat e mëdha të Egjiptit”. Më pas ai shpjegon se çfarë bënë ata në piramida, duke përfshirë hyrjen në zona jo të hapura për publikun e gjerë.

Gjatë videos, MrBeast dhe miqtë e tij shoqëroheshin nga eksperti egjiptolog, Ramy Romany, i cili është gjithashtu një regjisor dhe kinematograf fitues i çmimit Emmy.

Videoja është pritur mirë nga përdoruesit e platformës, të cilët kishin mbetur të shtangur.

“Si egjiptian, kjo është hera e parë që shoh dhe dëgjoj për gjërat e treguara në këtë video! Sinqerisht, kjo është një nga videot më të mira që keni bërë ndonjëherë”, shkroi një komentues.