Zëdhënësi i PDK-së, Blerand Stavileci, ka folur për rezultatin e sotëm zgjedhor, ku tha se kjo parti ka një rezultat që e konfirmon edhe më shumë besimin në PDK-në.
Stavileci tha se sot ka edhe një realitet të ri që qytetarët që ia kanë kthyer shpinën qeverisë aktuale pasi tha se nuk e kanë shumicën, teksa për sa i përket koalicioneve, ai tha se do ta presin rezultatin final.
“PDK-ja, kandidati ynë për kryeministër, sot është konfirmuar me votën e qytetarëve se ata besojnë që Kosova mundet më mirë. Prandaj, PDK-ja si një forcë politike, e rikthyer fuqishëm sikurse viteve më parë, do të jetë ajo që në krye me liderin e saj dhe kandidatin për kryeministër do të vendosin gjatë ditëve në vijim për koalicion”.
“Presim rezultatin final, por në një gjë jemi të sigurt, se Kosova duhet dhe mundet të bëjë më mirë dhe këtë do ta bëjë me PDK-në. Ne nga komisionerët dhe vëzhguesit tonë mbledhim të dhëna që janë të vlefshme për subjektin tonë politik. I përcjellim dhe të tjerat, por e rëndësishme është që PDK-ja është e konsoliduar me mbi 200 mijë vota”, tha Stavileci.
Më tej, ai tha se sipas të dhënave që ka PDK-ja, Vetëvendosje është nën 40 për qind dhe sipas tij, sot në Kosovë janë dy realitete të pamohueshme.
“E para, që ata kanë humbur besimin qytetar dhe qytetarët ia kanë kthyer shpinën VV-së dhe PDK-ja është konsoliduar si forcë me mbi 200 mijë vota dhe siç e thashë, gjatë ditëve në vazhdim do të veprojë me hapa konkret që të bëjë më mirë për vendin tonë”, tha ai.