Meliza Haradinaj, ish-ministrja e Punëve të Jashtme, ka deklaruar se presidentja Vjosa Osmani më nuk është me kryeministrin Albin Kurti dhe partinë që ai e udhëheq Lëvizja Vetëvendosje.
Në emisionin Rubikon të Klan Kosovës, ajo ka deklaruar se votat që i pati Osmani në zgjedhjet nacionale të 2021-së, do t’i shkojnë Lidhjes Demokratike të Kosovës në zgjedhjet e 9 shkurtit.
“Lëvizjes Vetëvendosje mungesa e Vjosa Osmanit në listën e kandidatëve për deputetë në zgjedhjet e 9 shkurtit do t’i kushtojë me elektoralë. Sepse ka qenë përcaktuese një vit e gjysmë më vonë në krahasim me 2019 dhe 2021, Osmani ka qenë përcaktuese në fitoren e pastër të LVV-së me 51 për qind”, ka thënë Haradinaj.
“Tani mendoj se përcaktuese është ajo votë nëse kthehet në LDK, me gjasë po. I shohim tubimet e Abdixhikut në turneun e ndryshimit, dhe nëse i krahasojmë para fjalimit të presidentes Vjosa Osmani në Kuvendin e Kosovës, ato tubimet e turneut të Abdixhikut ishin pak a shumë të zymta në pjesëmarrje. Pas atij fjalimi vetëm një fjalë e presidentes e ndau rrugën e saj më LVV, atëherë besoj se i gjithë elektorati i LDK-së shkoi në LDK, kjo e jep një sinjal se LDK-ja do të jetë përfituesja më e madh e këtij hendeku, pra e mos aktivitetit politik të Vjosa Osmanit. Osmani më nuk është me Kurtin dhe me LVV-në, nuk kanë tandem siç kanë qenë”, ka thënë Haradinaj.