Haradinaj: Ju që e shani Grenellin po e ndihmoni Serbinë të afrohet me administratën Trump (VIDEO)

Kandidati i AAK-së për kryeministër të vendit, Ramush Haradinaj sonte në “Rubikon” në Klan Kosova tha se Serbia po bën çmos që t’i afrohet administratës Trump dhe u shpreh se ndihmën më të madhe, sipas tij, po ia bëjnë ata që po e shajnë Richard Grenellin.

Duke folur për këtë, Haradinaj u shpreh se ata po i bëjnë “argat” të mirë Serbisë, përcjell Klankosova.tv.

“Atë që desha t’iu them atyre që po e shajnë Grenellin, është e vërtetë që Serbia po bën çmos që t’i afrohet administratës Trump, por ta dini që ndihmën më të madhe po ia bëni ju që po e shani Grenellin, jeni duke i ndihmuar Serbisë, bravo iu qoftë, çfarë argati jeni duke i bërë të mirë”.

“Unë u kam bërë lutje disa herë në studio këtyre filozofëve dhe këtyre mutacioneve të VV-së, mos u kyçni në ofendime të çfarëdo natyre në rrjete sociale, se krejt evidentohen, krejt ekzistojnë, do të keni pasoja personale për ato që i bëni, se nuk shkon asgjë e pavërejtshe edhe e pashpagume prej administratës së tyre, prej sistemit të tyre të sigurisë, por e dyta jeni duke i ndihmuar armiqve tanë”, u shpreh tutje Haradinaj.