Ministrja e Finlandës për çështje evropiane, Tytti Tuppurainen thotë se është koha që të liberalizohen vizat për qytetarët e Kosovës, si i vendi i vetëm në rajon që nuk gëzon lirinë e lëvizjes.
“Finlanda është në favor të liberalizimit të vizave për Kosovën. Sigurisht që e meritoni. Të rinjtë tuaj e meritojnë. Kam takuar shumë të rinj kosovarë që janë të etur për të udhëtuar, për të pasur të drejta të barabarta për të udhëtuar. Kosova është i vetmi vend në Ballkanin Perëndimor që nuk ka liberalizim të vizave. Dhe tani është koha për ta dhënë atë. Finlanda është në favor të kësaj dhe ne kemi punuar drejt qëllimit që Këshilli të arrijë marrëveshjen për liberalizimin e vizave”, ka deklaruar ajo.
Tuppurainen thotë se Finlanda mbështet edhe kërkesën e Kosovës për t’u bërë anëtare e Këshillit të Evropës dhe në organizatat ndërkombëtare të sigurisë.
Derisa flet për situatën aktuale të sigurisë në botë pas agresionit ushtarak të Rusisë në Ukrainë, ajo thekson se është këtu në drejtim të thellimit të bashkëpunimit mes Kosovës dhe Finlandës.
Tuppurainen në intervistën dhënë për KosovaPress duke komentuar deklaratat e presidentit serb, Aleksandër Vuçiq se përgjigja e tij karshi reciprocitetit të vendosur nga Qeveria e Kosovës për letërnjoftim dhe targa do të jetë “vdekjeprurëse”, ministrja finlandeze thotë se çdo retorikë përshkallëzuese është diçka për të cilën ndiej keqardhje.
Ministrja finlandeze për çështje evropiane, Tytti Tuppurainen po qëndron për vizitë zyrtare në Kosovë, ku nesër pritet të takojë zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi.