Kandidati për deputet nga Koalicioni për Kosovën Fituese, Artan Nimani i cili garon me numrin 25 ka reaguar pasi Lëvizja Vetëvendosje ka vazhduar me festë në Gjakovë, anipse po atë ditë kjo komunë u trondit nga një tragjedi ku humbën jetën 3 fëmijë.
Nimani ka drejtuar kritika të mëdha ndaj Kurtit.
“A ke fije morali, a ke ndjeshmëri njerëzore? Apo thjesht je i humbur pas humbjes?”, ka shkruar Nimani.
Postimi i plotë:
Kryeministër pa ndjeshmëri-Festë e VV-së në Gjakovë ndërsa qyteti vajton fëmijët e tij
Kryeministri Albin Kurti deklaroi se “ata që s’i duan fëmijët e vet nuk e votojnë VV-në.” Por sot, unë kam një pyetje publike për të:
Dje, Jabllanica e Gjakovës dhe e gjithë Gjakova u mbuluan nga dhimbja. Ishte një ditë zie, edhe pse e pa shpallur zyrtarisht, për tre fëmijët që humbën jetën tragjikisht. Familjarët qanin humbjen e bijve të tyre, bashkëqytetarët ndanin dhimbjen, dhe e gjithë Kosova u prek nga ky tragjedi.
Por ti, kryeministër, pikërisht dje, në Gjakovë, organizove festë. Një party politike në një qytet që mbante zi për fëmijët e vet. Si mund të mos ndaleshe një moment për të reflektuar? Si mund të mos e kuptoje se kishte momente kur festa është jo vetëm e papërshtatshme, por edhe e pandershme?
A ke fije morali, a ke ndjeshmëri njerëzore? Apo thjesht je i humbur pas humbjes? Ti, që fëmijën tënd nuk e rrit vetë, madje nuk e sheh për muaj të tërë, si mund të pretendosh se kujdesesh për fëmijët e Kosovës?
Lavdi marrëzisë! Me këtë fytyrë, do të të shohim gjithnjë, por jo më si lider – vetëm si një njeri që, edhe në humbje, nuk gjeti dot as minimumin e ndershmërisë për të ndalur një moment dhe për të respektuar dhimbjen e popullit tuaj.