Një sondazh i realizuar së fundmi të cilin e ka parë Gazeta Minuti nxjerr në pah një epërsi të thellë dhe të qartë të Lëvizja Vetëvendosje në skenën politike të vendit.
Sipas të dhënave të këtij sondazhi, Vetëvendosje prin bindshëm me 51.3% të mbështetjes qytetare, duke konfirmuar një avantazh të fuqishëm ndaj subjekteve tjera politike.
Ky rezultat e vendos këtë parti në një pozitë dominuese, duke reflektuar një nivel të lartë besimi nga qytetarët edhe pas zhvillimeve të fundit politike në vend.
Matja është realizuar me një mostër prej 1,010 respondentësh të përzgjedhur nga shtatë zona të ndryshme të vendit, duke përfshirë rajone të ndryshme gjeografike dhe demografike me përzgjedhje të kuotes gjinore 50% nga gjinia mashkullore dhe 50% nga gjinia femrore.
Gjinia:
505 meshkuj
505 femra
Mosha:
18–29 → 25% e 1000 = 255 persona
30–44 → 30% = 303 persona
45–59 → 25% = 251 persona
60+ → 20% = 201 persona
Sipas burimeve të Gazetës Minuti, përzgjedhja e mostrës është bërë në mënyrë që të përfaqësojë sa më saktë strukturën e elektoratit në nivel vendi.
Marzha e gabimit në këtë sondazh është ±3%, çka nënkupton se rezultatet konsiderohen të besueshme dhe brenda standardeve ndërkombëtare për hulumtime të opinionit publik.
Ky sondazh vjen në një periudhë të rëndësishme politike, pas formimit të qeverisë së re dhe në mes të debateve të ashpra lidhur me procesin e zgjedhjes së presidentit.
Rezultati prej mbi 51% sugjeron jo vetëm një fitore të qartë nëse zgjedhjet do të mbaheshin tani, por edhe një mundësi reale për formimin e qeverisë pa pasur nevojë për koalicione të gjera, një faktor ky që mund të ndikojë ndjeshëm në stabilitetin politik të vendit në periudhën në vijim.
Megjithatë, mbetet të shihet nëse kjo mbështetje do të qëndrojë e qëndrueshme në kohë, duke pasur parasysh dinamikat politike dhe zhvillimet që pritet të pasojnë në skenën vendore.