Në Kosovë po vazhdojnë diskutimet për një pako të re mbështetëse financiare, ku një ndër masat kryesore është ndarja e një pensioni shtesë për pensionistët – por kjo ndihmë pritet të jepet vetëm një herë dhe jo si rritje e përhershme mujore, raporton Gazeta Minuti.
Sipas burimeve, kjo masë synon të ndihmojë përkohësisht pensionistët, të cilët janë ndër kategoritë më të prekura nga rritja e çmimeve dhe kostos së jetesës. Megjithatë, theksohet se bëhet fjalë për një pagesë shtesë të vetme, dhe jo për ndryshim afatgjatë të nivelit të pensioneve.
—
Pakoja e re, e cila është ende në fazë diskutimi, pritet të përfshijë disa kategori përfituesish, duke filluar nga pensionistët, fëmijët e deri tek punonjësit e sektorit privat.
Përveç pensionistëve, në këtë pako parashihet edhe ndarja e 100 eurove për fëmijët, si një mbështetje direkte për familjet. Edhe kjo ndihmë, sipas burimeve, pritet të jetë një pagesë e vetme dhe jo mujore.
Në kuadër të diskutimeve janë përfshirë edhe punonjësit e sektorit privat, për të cilët po shqyrtohen mundësi të ndryshme të mbështetjes financiare, përfshirë subvencione apo ndihma direkte.
Gjithashtu, masa të veçanta mund të përfshijnë edhe familjet me të ardhura të ulëta dhe kategori të tjera në nevojë, duke synuar një ndikim më të gjerë në lehtësimin e barrës ekonomike për qytetarët.