Një zhvillim që ka tërhequr vëmendje si në Shqipëri ashtu edhe në SHBA lidhet me pajisjen me shtetësi shqiptare të ish-kryebashkiakut të Nju Jorkut, Eric Adams. Vendimi është formalizuar përmes një dekreti të nxjerrë nga Bajram Begaj, duke i mundësuar Adams të përfitojë edhe pasaportën shqiptare.
Sipas burimeve, kjo shtetësi nuk është dhënë përmes procedurave standarde të natyralizimit, por në bazë të një vendimi të veçantë institucional, pas një kërkese të vetë Adams. Ky hap interpretohet më shumë si një gjest simbolik, i lidhur me raportin e tij të afërt me komunitetin shqiptaro-amerikan dhe vizitat që ka zhvilluar në Shqipëri ndër vite.
Ngjarja ka nxitur debat në opinionin publik, veçanërisht pas deklaratave të tij gjatë një vizite të fundit, ku ai theksoi se “New York-u është Shqipëria e Amerikës”, një shprehje që u komentua gjerësisht si shenjë e lidhjeve të forta me komunitetin shqiptar.