Në Kosovë, në kuadër të pakos së rimëkëmbjes ekonomike, vëmendje e veçantë po i kushtohet punëtorëve të sektorit privat, me masa konkrete që synojnë mbështetjen direkte financiare.
Burime për Gazeta Minuti bëjnë të ditur se të gjithë punëtorët e sektorit privat që marrin pagën përmes llogarive bankare do të përfitojnë një shtesë prej 50% të pagës së tyre mujore.
Pra duhet të jenë të regjistruar përmes llogarive bankare dhe që janë tatim-pagues të kontributeve mujore.
Kjo nënkupton se përfitimi do të jetë automatik për ata që janë të regjistruar dhe paguhen në mënyrë formale përmes sistemit bankar.
Sipas këtyre burimeve, kjo masë synon të sigurojë një shpërndarje më të drejtë dhe më transparente të mbështetjes, duke shmangur procedurat e ndërlikuara dhe aplikimet shtesë për përfituesit.
Kjo ndërhyrje konsiderohet si një nga hapat më të rëndësishëm për sektorin privat, duke qenë se punëtorët e këtij sektori janë përballur shpesh me mungesë të mbështetjes direkte nga shteti. Përmes kësaj shtese prej 50%, synohet që të lehtësohet barra ekonomike dhe të ruhet fuqia blerëse e qytetarëve.
Burimet theksojnë se ekzekutimi i kësaj pagese do të bëhet pas miratimit të plotë të pakos në institucionet përkatëse, ndërsa detajet përfundimtare pritet të publikohen nga autoritetet në ditët në vijim.