Lëvizjes Vetëvendosje dhe kryetarit të saj, Albin Kurti nuk po i bëhet vonë për zgjedhjet e presidentit. Ndonëse kanë mbetur më pak se 3 javë kohë kushtetuese, parti në pushtet nuk ka ndërmarr ende asnjë hap serioz për zgjidhjen e këtij ngërçi, i cili mund të dërgojë vendin në zgjedhje të reja.
Megjithëse VV-ja dje ka paralajmëruar intensifikim të përpjekjeve për këtë çështje, kryeministri Albin Kurti sot ka udhëtuar për Britani të Madhe.
Koordinatorja për komitete në VV, Dejona Mihali, sot ka njoftuar për qëllimin e vizitës së Kurti në Londër.
“Sonte në Londër “Shtetformimi ekonomik dhe stabiliteti global”, diskutim në ODI Global në Londër. Pjesëmarrës në diskutim Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti”, ka shkruar ajo në profilin e saj në Facebook.
Megjithatë, dje shefja e Grupit Parlamentar të VV-së, Arbërie Nagavci, ka paralajmëruar se ditëve në vijim do të intensifikohen përpjekjet për këtë çështje.
Pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, ajo ka thënë se zgjedhjet e reja nuk janë zgjidhje.
“Besoj që gjatë këtyre ditëve do të intensifikohen përpjekjet për të gjetur një zgjidhje dhe që presidenti të zgjidhet brenda afatit kushtetues, sepse jemi të bindur që vendit i duhet një president i zgjedhur në Kuvend. Zgjedhjet e reja nuk do të sillnin rezultat tjetër dhe janë të panevojshme”, ka thënë Nagavci.
Edhe kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, e cila vije nga VV, ka bërë thirrje për kompromis rreth kësaj çështje.
“Uroj që të mos vijmë në situatën kur duhet të caktohet data e zgjedhjeve brenda afatit kushtetues prej 45 ditësh. Nëse i duhem grupeve parlamentare, jam e gatshme të ndihmoj me takime, por është e rëndësishme që të gjitha partitë të dëshmojnë vullnet për të gjetur një zgjidhje”, ka thënë Haxhiu.
Por, opozita ka thënë se përgjegjësia kryesore për zgjidhjen e presidentit të ri i takon VV-së.
Përfaqësuesit e partive opozitare kanë bërë me dije se VV-ja nuk po e trajton seriozisht këtë çështje.
Nënkryetarja e Kuvendit nga radhët e PDK-së, Vlora Çitaku, dje ka kërkuar më shumë seriozitet nga kryeministri Kurti për këtë proces.
“Lëvizja Vetëvendosje dhe kryetari i saj, Albin Kurti, duhet ta trajtojnë çështjen e zgjedhjes së presidentit me seriozitet dhe përgjegjësi që një situatë e tillë imponon. Tash është radha që Vetëvendosja deklaratat e saj publike t’i konkretizojë në një letër të shkruar që PDK-ja do ta shqyrtojë. Deri tani nuk kemi pranuar asnjë kërkesë zyrtare nga Vetëvendosja”, është shprehur Çitaku.
Edhe shefja e Grupit Parlamentar të LDK-së, Jehona Lushaku-Sadriu, tha se përgjegjësia për zgjidhjen e situatës bie mbi shumicën parlamentare.
“Është tepër e rëndësishme që të gjithë ta kuptojmë që Gjykata Kushtetuese ka vënë afate të qarta. Duhet seriozisht të bëhen diskutime intensive me qëllim të daljes nga kjo situatë dhe për t’i dhënë vendit një president. Ne presim që bisedimet të jenë gjatë ditëve të mbetura. Varet nga ata që kanë maksimumin e votave, por rreziku është shumë i madh që të shkojmë në zgjedhje në mungesë zgjidhjeje. Pa vullnetin politik të tyre nuk mund t’i jepet zgjidhje vendit”, ka deklaruar Lushaku-Sadriu.
Kryeministri Albin Kurtit të hënën ka zhvilluar një takimin me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku, në lidhje më këtë çështje. Pas takimin, ata kanë bërë më dije se nuk kanë arritur ndonjë rezultat.
Ndonëse kishte paralajmëruar, Kurti ende nuk është takuar me kryetarin e PDK-së, Bedri Hamza. Ky i fundit ka kërkuar që ftesa për takim të bëhet në mënyrë zyrtare, me letër të shkruar.