Vendimi i fundit i Iranit për Ngushticën e Hurmuzit

Irani refuzon projekt-rezolutën në OKB, e cilëson “të njëanshme dhe të papranueshme”Ambasadori i Iranit në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, Amir-Saeid Iravani, ka reaguar ashpër ndaj projekt-rezolutës së paraqitur sot në Këshillin e Sigurimit, duke e cilësuar atë si “plotësisht të njëanshme, të paragjykuar dhe të papranueshme”.

 

Në fjalën e tij para Këshillit, Iravani deklaroi se dokumenti në fjalë nuk pasqyron realitetin në terren, por përkundrazi, sipas tij, “shtrembëron faktet duke i atribuar gabimisht përgjegjësinë Iranit, i cili është viktimë e agresionit, ndërsa injoron qëllimisht shkaqet themelore të krizës aktuale”.

 

Si rrjedhojë, ai bëri të ditur se Irani ka vendosur ta refuzojë këtë projekt-rezolutë, e cila lidhet me zhvillimet e fundit në Ngushticën e Hormuzit — një nga rrugëkalimet më strategjike për transportin global të naftës.

Ambasadori iranian theksoi gjithashtu se veprimet e ndërmarra nga vendi i tij në këtë zonë “janë në përputhje me të drejtën e lindur për vetëmbrojtje”, duke lënë të kuptohet se Teherani i konsideron ato si përgjigje ndaj kërcënimeve të jashtme.

Ndërkohë, një sërë shtetesh të rajonit kanë reaguar duke dënuar ashpër mbylljen efektive të kësaj rruge ujore nga Irani, si dhe sulmet e vazhdueshme ndaj territoreve të tyre. Ato i kanë cilësuar këto veprime si shkelje të së drejtës ndërkombëtare, duke përfshirë parimin e lirisë së navigacionit detar.

Tensionet në Ngushticën e Hormuzit vazhdojnë të mbeten të larta, ndërsa komuniteti ndërkombëtar shpreh shqetësim për ndikimin e mundshëm në sigurinë rajonale dhe tregjet globale të energjisë.