Faqet në rrjetet sociale që i shfrytëzoi Presidenca e Kosovës në krye me Vjosa Osmanin për të komunikuar me publikun për një mandat, tashmë janë rikthyer në emër të Osmanit dhe nuk janë më kanale zyrtare që ruajnë vijmësinë e Presidencës.
Këto faqe në Facebook, YouTube, X kanë ndryshuar emrin nga “Presidenca e Kosovës” në “Zyra e Presidentes së 6-të të Republikës së Kosovës”.
Këshilltarja e ish-presidentes Vjosa Osmani, Egnesa Vitia sqaroi për KALLXO.com, se këto faqe ishin hapur nga stafi politik i Osmanit, kur kjo e fundit kishte marrë mandatin – pra, nuk kanë ekzistuar më herët.
Vitia tha se në përputhje me praktikat e shumë shteteve, faqja e hapur nga stafi politik i ish-presidentes Osmani në Facebook dhe në X, ku prezantohej puna e Presidencës gjatë mandatit të saj, tani arkivohet si faqe me emër të ri dhe menaxhohet nga stafi i Presidentes së gjashtë.
“Kjo është në përputhje me praktikat në shtete të tjera dhe bëhet me qëllim të arkivimit dhe ruajtjes së materialeve të prezantuara përgjatë këtij mandati” – shtoi Vitia më 06.04.2026.
Mandati i Vjosa Osmanit si presidente e Kosovës përfundoi më 04.04.2026 dhe ulësen e të parës së shtetit, përkohësisht e zuri kryeparlamentarja Albulena Haxhiu.
Mediumi është në pritje të përgjigjes nga ekipi i Haxhiut se a do të hapin kanale të reja në rrjete sociale për të komunikuar me publikun për aktivitetet e ushtrueses së detyrës.
Por, edhe pas përfundimit të mandatit pesëvjeçar presidencial, Osmanit i njihen disa të drejta me Ligjin për Presidentin e Republikës së Kosovës, duke nisur nga thirrja “Presidente”, e cila do të vazhdojë t’i vlejë.
Në bazë të këtij ligji, ajo ka të drejtë në pension, shuma e të cilit është 70% e pagës të cilën e ka marrë si kryetare shteti.
Po ashtu, Osmani dhe familja e saj (burri dhe fëmijët) kanë të drejtë në sigurim të plotë shëndetësor dhe shërbime mjekësore në spitalet ushtarake dhe publike gjatë tërë jetës.
“Presidenti i Republikës së Kosovës pas përfundimit të mandatit, ka të drejtë në kompensim monetar kalimtar për një periudhë shtatë mujore të tranzicionit në jetën private. Fondet mund të përdoren për zyre, kompensim të stafit, shërbime të telekomunikacionit, shtypje dhe shërbime postare të ndërlidhura me periudhën tranzitore” – thuhet në ligj.
Presidentja Osmani dhe familja e saj kanë të drejtë të kenë përcjellje zyrtare, pra mbrojtje të afërt, për tri vitet e ardhshme.
Në këto kushte, ish-presidentes i lejohet të marrë pjesë në manifestimet shtetërore sipas radhës protokolare në vend.
Në rastin e Osmanit, bashkë me burrin e saj, Ligji u lejon që ta përdorin pasaportën diplomatike të Kosovës tërë jetën, kurse fëmijët e tyre kanë të drejtë deri në moshën 18-vjeçare.
“Presidenti i Republikës së Kosovës ka të drejtë në shpenzimet materiale për aktivitetet e tij/saj, në rastet kur këto aktivitete ushtrohen në cilësinë e ish-Presidentit. Mjetet nga paragrafi 1 i këtij neni sigurohen nga buxheti i përcaktuar për Zyrën e Presidentit të Kosovës” – thuhet në ligj.
Ligji e përcakton se në periudhën 5-vjeçare pas përfundimit të mandatit të presidentit, nuk mund të jenë më shumë se tre persona në personel profesional të zyrës.
“Presidenti angazhohet nga Qeveria e Kosovës në aktivitete shtetërore, atëherë periudha 5-vjeçare fillon nga përfundimi i angazhimit të Presidentit” – thuhet në ligj.
Presidentja Vjosa Osmani mbajti një adresim publik me rastin e përfundimit të mandatit të saj, duke falënderuar qytetarët për besimin dhe duke theksuar se shërbimi ndaj shtetit është nderi më i madh.
Në fjalimin e saj drejtuar qytetarëve dhe mërgatës, më 04.04.2026 të publikuar në Facebook, ajo deklaroi se gjatë pesë viteve në krye të shtetit është udhëhequr nga parime të qarta: mbrojtja e interesit shtetëror, forcimi i aleancave ndërkombëtare dhe ruajtja e integritetit institucional.