Ish bashkëshortja e Ilir Metës, Monika Kryemadhi, është e pandehur për korrupsion dhe pastrim parash që nga tetori i vitit 2024.
Kryemadhi është edhe papunë që nga shtatori i vitit të kaluar pasi nuk u zgjodh më deputete. Teksa ditën paraqitet në SPAK dhe jep deklarata për mediat, në darkë shfaqet si opinioniste e edicionit të 5 të Big Brother Vip Albania, duke i bërë karshillëk shqiptarëve dhe drejtësisë me veshje që kushtojnë mijëra euro.
Kryemadhi, e cila i shpëtoi arrestit me burg me raporte mjekësore, ekspozon në ekran veshje firmato, madje edhe duke u treguar shqiptarëve markat e veshjeve me vlerë një mijë deri në disa mijë euro. E pandehura për korrupsion dhe pastrim parash vijon të shpenzojë dhjetëra mijëra euro në vit për shërbime estetike brenda dhe jashtë vendit.

Ndonëse në proces gjykimi si e korruptuar, Kryemadhi vijon të konsumojë të njëjtat vepra penale, duke mos deklaruar në ILDKPKI shpenzimet për veshje firmato dhe ndërhyrje estetike. Që nga viti 2003 deri në vitin 2024, zonja Kryemadhi nuk ka deklaruar asnjë shpenzim në ILDKPKI siç e parashikon ligji, ndërkohë që SPAK ka provuar qindra mijëra euro të shpenzuara për shërbime estetike, para që dyshohet se janë produkt i aferave korruptive.

Qendra luksoze ku Meta-Kryemadhi shpenzuan 98 mijë euro për t’u dobësuar
Dosja e SPAK-ut për disa nga episodet korruptive të Ilir Metës dhe Monika Kryemadhit ka zbuluar edhe një nga qendrat që ka frekuentuar çifti politik për t’u dobësuar dhe tonifikuar, si gjithnjë me para që buronin nga aferat e tyre me pasuritë dhe paratë publike. Bëhet fjalë për Lanserhof Lans Austria’s një nga qendrat më të famshme për detoksifikimin, matjen dhe përmirësimin e parametrave shëndetësor.

Sipas dosjes së SPAK-u, bazuar në përgjigjen e letërporosisë që kanë dhënë autoritetet austriake, Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi nga viti 2013 deri në vitin 2023 kanë shpenzuar 98 mijë euro në qendrën e detoksifikimit në Lanserhof të Austrisë. Meta dhe Kryemadhi nuk i kanë deklaruar këto shpenzime sipas ligjit në ILDKPKI. Dhe frekuentimi i kësaj qendre përfshin vetëm një pjesë të shërbimeve për transformimin e pamjes së jashtme.