Erion Braçe denoncon rritjen e ‘çmenduur’ të çmimeve të fruta-perimeve në Tiranë (Video)

Deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe, ka reaguar lidhur me rritjen e çmimeve të fruta-perimeve në kryeqytet, duke e cilësuar situatën si shqetësuese për konsumatorët.

 

Gjatë një vëzhgimi në disa zona të Tiranës, përfshirë njësitë 2 dhe 3, ai konstatoi se çmimet mbeten të larta dhe të njëjta në tregje të ndryshme. Sipas tij, domatja po tregtohet nga 300 deri në 350 lekë për kilogram, ndërsa speci i kuq arrin deri në 450 lekë për kilogram.

 

Deputeti thekson se rritja e çmimeve nuk lidhet drejtpërdrejt me shtrenjtimin e karburanteve, por me faktorë të tjerë të tregut. “Ndikimi i rritjes së çmimit të naftës është shumë më i vogël krahasuar me rritjen e çmimeve të produkteve bujqësore,” argumenton ai.

Sipas Braçes, çmimet e larta po ndikohen kryesisht nga importet, të cilat aktualisht dominojnë tregun, ndërsa prodhimi vendas mbetet i pamjaftueshëm për të përballuar kërkesën. Ai shton se prodhimi vendas është dëmtuar nga faktorë si përmbytjet në zonat kryesore bujqësore dhe kushtet e pafavorshme klimatike.

Në këtë kontekst, deputeti rikujton nevojën për ndërhyrje më të hershme për mbështetjen e sektorit bujqësor, duke theksuar se mungesa e reagimit ka sjellë pasojat aktuale në treg.

Rritja e çmimeve të produkteve ushqimore bazë mbetet një ndër shqetësimet kryesore për qytetarët, ndërsa ekspertët paralajmërojnë për nevojën e politikave më të qëndrueshme për forcimin e prodhimit vendas dhe stabilizimin e tregut.