Ekskluzive| Kjo është oferta e Kurtit për LDK-në

Sot nga ora 11:00 do të mbahet takimi mes kreut të LVV-së, njëherit kryeministër Albin Kurit dhe kreut të LDK-së, Lumir Abdixhiku.

Burime të sigurta të Gazetës Minuti bëjnë të ditur se kryeministri Albin Kurti tashmë e ka përgatitur ofertën që pritet t’ia paraqesë Lidhja Demokratike e Kosovës në kuadër të diskutimeve për zgjidhjen e çështjes së presidentit.

Sipas këtyre burimeve të Gazeta Minuti, oferta e Kurtit përmban dy opsione konkrete. Në variantin e parë, ai pritet t’i kërkojë LDK-së që të propozojë një kandidat për president, ndërsa Lëvizja Vetëvendosje do ta mbështeste këtë propozim duke siguruar 30 nënshkrimet e nevojshme për procedimin e kandidaturës.

Ndërkaq, opsioni i dytë që pritet të vihet në tavolinë, sipas burimeve të Gazeta Minuti është ai i një kandidati konsensual për president, i cili do të mbështetej nga një spektër më i gjerë politik. Ky skenar, sipas burimeve, synon të shmangë vendin nga shkuarja në zgjedhje të parakohshme dhe të sigurojë një zgjidhje më të qëndrueshme institucionale.

Megjithatë, deri në këtë fazë nuk ka konfirmim zyrtar nga asnjëra palë, ndërsa mbetet të shihet nëse Lumir Abdixhiku dhe LDK-ja do ta pranojnë një ofertë të tillë apo do të mbajnë qëndrim tjetër në raport me zhvillimet e fundit politike.

Zhvillimet e ditëve në vijim pritet të jenë vendimtare për fatin e procesit të zgjedhjes së presidentit dhe për stabilitetin politik në vend./Gazeta Minuti/