Shikojeni se edhe kujt i paska dhënë medale Presidenciale, Vjosa Osmani sa ishte Presidente

Këta dhjetë burra u përzgjodhën nga Federata e Futbollit të Kosovës (FFK) që, një ditë pas disfatës së dhimbshme ndaj Turqisë, në emër të kombëtares të pranojnë Medaljen Presidenciale të Meritave.

 

Në mesin e delegacionit të Federatës që shkoi në Presidencë të mërkurën në mëngjes për të pranuar Medaljen, ishin edhe kapiteni Vedat Muriqi e bashkëlojtari i tij, Valon Berisha – dy njerëz që janë bërë simbol i punës dhe i sakrificës për Kosovën.

 

Në anën tjetër ndodhej një njeri që simbolizon krejt të kundërtën e asaj që përfaqëson Muriqi me shokë.

Emri i tij është Bakir Burri.

Bakir Burri, nënkryetar i Federatës së Futbollit të Kosovës

Burri, me origjinë nga Peja, është nënkryetari i parë i Federatës së Futbollit të Kosovës, dora e djathtë e Agim Ademit dhe një njeri tek i cili i pari i FFK-së mbështetet tash e tetë vjet, prej që u zgjodh për herë të parë në krye të FFK-së.

Ndërsa kombëtarja po përgatitej për dy prej ndeshjeve më të rëndësishme në historinë e saj, Burri në prapaskenë po ballafaqohej me telashe personale.

Nuk kanë kaluar as gjatë javë prej se ai ishte cak i një aksioni masiv të autoriteteve që zbuloi një skemë të madhe të manipulimit me kontrabandë dhe cilësi të arit.

Rreth 25 kilogramë ari, me vlerë afër tre milionë euro, u kapën në argjendarinë e familjes së Burrit në Pejë.

Autoritetet zbuluan se kilogramët e arit po mbaheshin të fshehta në bunkerë brenda biznesit të familjes Burri.

Sipas ligjeve që rregullojnë tregtinë e produkteve të arit, çdo produkt i këtij lloji që hidhet në treg duhet të jetë i vulosur me dy vula: njëra që verifikon produktin dhe tjetra që tregon se ai është i ekzaminuar- se i dihet vlera dhe sasia.

Këtë as nuk i kishte shkuar në mendje ta bënte biznesi i nënkryetarit të FFK-së.