Njoftim pozitiv për personat që marrin pensione në Kosovë

Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka bërë të ditur se Qeveria e Kosovës pritet të dërgojë në Kuvend Pakon për Përballje me Inflacionin 2.0, një ndërhyrje ekonomike në vlerë prej 200 milionë eurosh, e cila synon të mbështesë qytetarët më të prekur nga rritja e çmimeve dhe kriza inflacioniste. Sipas tij, fokusi kryesor i kësaj pakete është ndihma e menjëhershme për pensionistët, të cilët konsiderohen ndër kategoritë më të goditura nga rritja e kostos së jetesës, shkruan Gazeta Minuti.

“Qeveria është e angazhuar që të sigurojë lehtësim të shpejtë për pensionistët dhe shtresat më të ndjeshme të shoqërisë. Kjo paketë synon të ndihmojë ata që përballen më së shumti me inflacionin dhe të përmirësojë fuqinë blerëse,” u shpreh Murati gjatë një deklarate për media.

Ai theksoi se përveç pensionistëve, përfitime do të ketë edhe për kategori të tjera si fëmijët që marrin shtesa, studentët dhe grupet sociale në nevojë për mbështetje urgjente financiare. “Kemi hartuar këtë paketë me qëllim që efektet e saj të ndihen menjëherë në jetën e qytetarëve dhe të ndihmojë në përballimin e vështirësive ekonomike,” shtoi ai, raporton Gazeta Minuti.

Murati bëri të ditur se pakoja pritet të shqyrtohet dhe të miratohet në Kuvend gjatë ditëve në vijim, duke u konsideruar si një nga masat kryesore të Qeverisë për të zbutur pasojat e rritjes së çmimeve dhe për të mbrojtur shtresat më të cenueshme. Ai gjithashtu njoftoi se janë në shqyrtim edhe masa shtesë që mund të përfshijnë mbështetje për bizneset e vogla dhe sektorin privat, me synim lehtësimin e barrës ekonomike në përgjithësi.