Viktor Buzhala ka njoftuar sot largimin e tij nga partia “Guxo”, duke bërë të ditur se nuk i mjafton të jetë vetëm anëtar i thjeshtë i një subjekti politik.
Gjatë një paraqitjeje televizive në emisionin “Pressing”, ai zbuloi se ka refuzuar edhe postin e zëvendësministrit, ndërsa shpjegoi arsyet e këtij vendimi.
Sipas tij, partia “Guxo” nuk ka të ardhme në formatin aktual, pasi pret që Presidentja Vjosa Osmani ta marrë kontrollin e saj sapo të përfundojë mandatin në krye të shtetit.
“Arsyeja kryesore pse unë nuk e pranova pozitën e zëvendësministrit ka të bëjë me faktin që jam i mendimit që Vjosa Osmani nuk mundi ta merr partinë “Guxo” nga brenda, mirëpo do të arrijë ta marrë nga jashtë. Nuk shoh të ardhme në “Guxo”, as vetë partinë të paktën në këtë formatin që është sot”, tha ai.
Buzhala tregoi se këtë konstatim e ka mbështetur në disa komunikime të brendshme që ka parë, të cilat sipas tij paralajmërojnë ndryshime rrënjësore në parti.
“Unë i kam pa do komunikime aty që të çojnë në atë konstatimin që mund ta merr partinë pas disa ditësh nga jashtë Vjosa Osmani, presidentja e cila pas disa ditësh nuk do të jetë presidente dhe në këtë mënyrë nuk doja të isha aty kur kjo të ndodhte”, tha ai përcjell Insajderi.
Ai sqaroi se mbetet mbështetës i palëkundur i Albin Kurtit dhe koalicionit me Lëvizjen Vetëvendosje, duke shtuar se distancimi i tij nga Presidentja Osmani ka nisur kohë më parë dhe nuk është një vendim i momentit.
“Unë kam qenë në Guxo për shkak të botëkuptimeve të mija që nuk kanë ndryshu prej 2014-ës, janë pro Albin Kurtit dhe pro Vetëvendosjes dhe kam qenë në Guxo pikërisht pse janë në koalicion me VV. Mua dy herë më ka reagu Presidenca, vetë Bekim Kupina më ka reagu për postimet e mija, që nënkupton që unë jam distancu prej Vjosa Osmanit më herët, jo tash”, deklaroi Buzhala.
Ish-anëtari i “Guxo” tha se nuk e sheh veten në rrugën politike që pritet të ndjekë pjesa tjetër e partisë.
“Mendoj që një pjesë e konsiderueshme e Guxo do të shkojë andej dhe unë nuk e shoh veten në atë drejtim, kjo është arsyeja që jam tërheq”.