Nuk e morën pagën e 13-të, por Qeveria ka lajm të mrekullueshëm për punëtorët e sektorit privat

Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka paralajmëruar se Qeveria e Kosovës do ta sjellë në Kuvend Pakon për Përballje me Inflacionin 2.0, një paketë ekonomike në vlerë prej 200 milionë eurosh që synon të mbështesë qytetarët më të prekur nga rritja e çmimeve dhe inflacioni. Sipas Muratit, pjesa kryesore e kësaj pakete përfshin mbështetje të menjëhershme për të gjithë  punëtorët e sektorit privat, të cilët kanë pësuar humbje të konsiderueshme nga rritja e kostos së jetesës, shkruan Gazeta Minuti.

 

“Qeveria jonë është duke vepruar me shpejtësi për të ofruar një lehtësim të menjëhershëm për pensionistët dhe punëtorët që përballen më shumë me pasojat e inflacionit,” tha Murati. “Kjo paketë është dizajnuar që të ndikojë drejtpërdrejt në fuqinë blerëse të qytetarëve dhe të mbështesë ata që kanë nevojë më të madhe për ndihmë financiare.”

 

Ai shtoi se, përveç pensionistëve dhe punëtorëve të sektorit privat, paketa përfshin gjithashtu mbështetje për fëmijët që marrin shtesa dhe studentët, duke theksuar se Qeveria ka synim të përfshijë të gjitha kategoritë më të ndjeshme të shoqërisë. Murati paralajmëroi se pakoja do të diskutohet dhe miratohet në Kuvend në ditët në vijim, duke u bërë kështu një nga masat më të rëndësishme të Qeverisë për të përballuar sfidat ekonomike aktuale./Gazeta Minuti/