Në prag të seancës së djeshme të Kuvendit të Kosovës, është bërë publike një kërkesë drejtuar Glauk Konjufca, në cilësinë e ministrit të Punëve të Jashtme dhe Diasporës, lidhur me një botim të shpërndarë nga ky institucion.
Kërkesa publike është adresuar nga Astrit Gjocaj, i cili i bën thirrje Ministrisë që të distancohet institucionalisht dhe të tërheqë në mënyrë deklarative librin e autorit Shkëlzen Gashi për masakrat në Kosovë, i cili sipas tij është blerë dhe shpërndarë nga Ministria në kuadër të aktiviteteve të saj.
Në letrën drejtuar ministrit, Gjocaj thekson se kërkesa nuk ka të bëjë me përgjegjësi personale, por me përgjegjësi institucionale për veprimet që ndërmerren në emër të shtetit. Ai vlerëson se libri në fjalë përmban pasaktësi dhe paraqitje të deformuara të ngjarjeve historike, të cilat, sipas tij, cenojnë të vërtetën dhe dëmtojnë narrativën mbi vuajtjet e popullit të Kosovës.
Sipas kërkesës, shpërndarja e një materiali të tillë nga një institucion shtetëror i jep atij legjitimitet publik, duke rritur përgjegjësinë për pasojat që mund të prodhojë në opinionin vendor dhe ndërkombëtar.
Në këtë kontekst, Gjocaj kërkon nga Ministria që:
- të shprehë qartë distancimin institucional nga përmbajtja e librit;
- të shpallë publikisht tërheqjen deklarative të tij si material që nuk përfaqëson qëndrimin zyrtar të Republikës së Kosovës;
- të njoftojë ambasadat dhe përfaqësitë diplomatike që e kanë pranuar librin, se ai nuk duhet të konsiderohet si referencë e besueshme;
- si dhe të informojë opinionin publik se botimi nuk duhet të përdoret si burim për çështjet që trajton.
Në fund të reagimit, Gjocaj thekson se një shtet serioz nuk duhet të lejojë cenimin e së vërtetës historike pa reagim, duke shtuar se heshtja institucionale në raste të tilla mund të perceptohet si pajtim me shtrembërimin e saj.
Deri më tani, nuk ka pasur një reagim zyrtar nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës lidhur me këtë kërkesë.