Sekretari organizativ i Lëvizjes Vetëvendosje, Alim Rama, i është drejtuar presidentes Vjosa Osmani që të emërojë edhe të propozuarin e tretë të kësaj partie për anëtar të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për këto emërime.
Vetëvendosje po insiston t’i ketë tre anëtarë në KQZ, ndërsa PDK tha se vendimi i Kushtetueses argumenton se bazuar në Kushtetutë dhe në përbërjen aktuale të Kuvendit, ndarja e vendeve në KQZ duhet të garantojë nga një anëtar për secilin grup parlamentar në raundin e parë, ndërsa dy vendet e mbetura në raundin e dytë u takojnë dy grupeve më të mëdha parlamentare, në këtë rast LVV-së dhe PDK-së.
“Sot, përmes një letre, i jam drejtuar Presidentes së Republikës së Kosovës, znj.Vjosa Osmani-Sadriut me kërkesën për emërimin e anëtarit të tretë të KQZ-së nga Lëvizja VETËVENDOSJE!. Kjo kërkesë vjen duke marrë parasysh vendimin e Gjykatës Kushtetuese për mospranimin e kërkesës së Presidentes për vlerësimin e konfliktit në mes të kompetencave kushtetuese sipas nenit 113 (3) (1) të Kushtetutës së Republikës së Kosovës” (Nr. të lëndës: KO81/26). Vullneti politik i qytetarëve i shprehur me votë popullore në zgjedhjet e 28 dhjetorit është i qartë. E meqë parimi themelor është se përfaqësimi i subjekteve politike në KQZ lidhet me përfaqësimin parlamentar të dalë nga zgjedhjet, kërkojmë që të respektohet ky parim, rrjedhimisht vullneti i qytetarëve”, ka shkruar Rama.
Osmani ka kërkuar vlerësimin e “konfliktit në mes të kompetencave kushtetuese sipas nenit 113” të Kushtetutës, përkatësisht në mes të saj dhe “grupeve parlamentare si trupa të Kuvendit të Kosovës” sa i përket emërimit të anëtarëve të KQZ-së.
Gjykata tha se nuk janë plotësuar kriteret e kërkuara kushtetuese në lidhje me ngritjen e “konfliktit të kompetencave kushtetuese”.
Kushtetuesja tregoi se në rastin konkret, konflikti i kompetencave është ngritur me një kompetencë të presidentes që nuk është e përcaktuar me Kushtetutë, por me Ligjin e zgjedhjeve të përgjithshme.
Në anën tjetër, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, i ka dërguar një letër zyrtare Presidentes Osmani, duke kërkuar që të procedohet pa vonesë me emërimin e anëtarit të dytë të PDK-së në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.
Në këtë letër, Kryetari Hamza thekson se vendimi i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës në rastin KO81/26 ka sqaruar përfundimisht çdo paqartësi lidhur me këtë çështje, duke konfirmuar se përfaqësimi i PDK-së me dy anëtarë në KQZ është një e drejtë kushtetuese dhe jo çështje interpretimi politik.