Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka dalë në mbështetje të Vedat Muriqit, i cili është diskutuar gjerësisht në rrjetet sociale që nga mbrëmë pasi Kosova humbi finalen e play-off-it kundër Turqisë.
Përmes një postimi në Facebook, Limaj tha se “çdo shtëpi ka mbeturinat e veta”, duke shtuar se njerëz të tillë e etiketuan dhe fyenin UÇK-në edhe gjatë luftës.
“Vedat, mos u mërzit. Çdo shtëpi ka ‘mbeturinat’ e veta. Njerëz të tillë pothuajse e kanë në natyrën e tyre të fyejnë dhe etiketojnë ata që i kanë shërbyer dhe vazhdojnë t’i shërbejnë atdheut me zemër. Kështu përhapin shpifje dhe etiketime edhe kundër UÇK-së gjatë luftës, dhe vazhdojnë ta bëjnë këtë edhe sot.”
“Kur shpifin, fillojnë nga vetja, sepse nuk kanë karakterin për t’i shërbyer atdheut dhe për t’u krenuar me zemër. Ata janë thjesht zëra që nuk përfaqësojnë vlerat e këtij vendi”, tha Limaj.
Udhëheqësi i Nismës e inkurajoi edhe Muriqin me këto fjalë:
“Mirënjohje për ju dhe ekipin për emocionin dhe dashurinë që po u transmetoni fëmijëve tanë për fanellën dhe shtetin. Mbani kokën lart, jemi krenarë për ju.”