Kroacia godet Serbinë, për Kosovën ka një vendim të mirë

Presidenti i Kroacisë, Zoran Milanoviç, ka anuluar takimin e radhës të Procesi i Bërdo-Brionit, i planifikuar për në maj, duke argumentuar se aktualisht nuk ekzistojnë kushtet e nevojshme për pjesëmarrjen e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç.
“Deklaratat dhe veprimet politike të presidentit të Serbisë, për të cilat kemi qenë dëshmitarë në ditët dhe javët e fundit, janë plotësisht në kundërshtim me qëllimin e Procesit të Bërdo-Brionit, dëmtojnë marrëdhëniet ndërshtetërore dhe rrezikojnë paqen dhe stabilitetin në rajonin e Evropës Juglindore”, tha Millanoviq përmes një deklarate me shkrim.

Kjo lëvizje ka nxjerrë në pah tensionet e fundit politike në rajon dhe ka vënë në pikëpyetje funksionalitetin e këtij forumi bashkëpunimi, i cili synon forcimin e dialogut dhe stabilitetit në Evropën Juglindore.

Në këtë kontekst, anulimi i samitit dhe reagimet e ndërsjella të liderëve sinjalizojnë një klimë të brishtë politike, ndërsa po shqyrtohen alternativa të reja për mbajtjen e takimit në një vend tjetër.

Ndërkohë, autoritetet në Slloveni kanë bërë të ditur se janë duke u shqyrtuar alternativa të reja për organizimin e Procesi i Bërdo-Brionit, pas anulimit të takimit të planifikuar. Zyra e presidentit slloven, në një prononcim për Radio Evropa e Lirë(REL), kishte konfirmuar se po punohet për të gjetur një vendndodhje tjetër të përshtatshme për mbajtjen e samitit, duke lënë të hapur mundësinë që ai të zhvillohet jashtë Kroacisë.

A mund të jetë një prej vendeve edhe Kosova?

Rexhepi: Ky vendim tregon se marrëdhëniet rajonale janë në një fazë të ndjeshme

Ish-hetuesi Agim Rexhepi, në një përgjigje për “Bota sot”, vlerëson se anulimi i samitit nga Zoran Milanoviç është sinjal politik kundër Aleksandar Vuçiç dhe tregon mungesë besimi në rajon.

Ai sugjeron që Kosova mund të ofrohet si vend mikpritës për të ruajtur dialogun.

“Anulimi i samitit të Bërdo-Brionit nga Zoran Milanoviç përbën një zhvillim me peshë politike në rajon dhe një sinjal të qartë se stabiliteti nuk mund të ndërtohet duke injoruar retorikën dhe veprimet që cenojnë frymën e bashkëpunimit. Refuzimi për të pritur Aleksandar Vuçiç nuk është thjesht një akt diplomatik, por një qëndrim i artikuluar kundër një diskursi që perceptohet si destabilizues për Ballkanin Perëndimor.

Ky vendim tregon se marrëdhëniet rajonale janë në një fazë të ndjeshme dhe se besimi ndërmjet aktorëve nuk është në nivelin e duhur për të garantuar funksionimin normal të nismave shumëpalëshe. Megjithatë, ai njëkohësisht vendos një standard të ri: bashkëpunimi nuk mund të jetë formal, por duhet të mbështetet në përgjegjësi politike dhe respekt të ndërsjellë.

Në këtë kontekst, ideja që samiti të zhvendoset në një vend tjetër hap një mundësi të re diplomatike. Nëse Kosova do të ofrohej si vend mikpritës, kjo do të ishte një dëshmi e gatishmërisë së saj për të marrë rol aktiv në ruajtjen e dialogut rajonal, pavarësisht sfidave politike që e shoqërojnë. Një hap i tillë nuk do të përbënte kundërshtim ndaj Kroacisë, por përkundrazi një vazhdim të të njëjtit qëllim: mbajtjen gjallë të platformave të bashkëpunimit”, tha ai.

Sipas tij, refuzimi i Kroacisë lidhet me Aleksandar Vuçiç dhe jo me Kosovën apo Shqipërinë.

Ai shprehet se nëse Kosova organizon samitin, do të forcojë rolin e saj ndërkombëtar dhe bashkëpunimin rajonal.

“Refuzimi i Kroacisë në këtë rast duhet parë si një reagim specifik ndaj Aleksandar Vuçiç, dhe jo si tërheqje nga partneriteti me Kosovën apo Shqipëria. Nëse Kosova do ta merrte iniciativën për organizimin e samitit, kjo mund të krijonte një dinamikë të re bashkëpunimi ndërmjet këtyre vendeve, duke forcuar një bosht politik që mbështetet në orientimin euroatlantik dhe në qëndrime më të harmonizuara për çështjet rajonale.

Një organizim i tillë nga Kosova do të kishte ndikim të shumëfishtë: do të demonstronte kapacitet institucional dhe pjekuri politike, do të rriste profilin e saj ndërkombëtar dhe do ta poziciononte si faktor konstruktiv në arkitekturën rajonale. Në të njëjtën kohë, do të dërgonte një mesazh se rajoni nuk mbetet peng i tensioneve, por ka aftësi të adaptohet dhe të vazhdojë bashkëpunimin edhe në rrethana të vështira.

Dhe si përfundim mund të themi se, anulimi i samitit nuk është vetëm tregues i përkeqësimit të klimës politike, por edhe një moment ripozicionimi. Ai hap hapësirë për aktorë të tjerë, si Kosova, që të dëshmojnë lidership dhe të kontribuojnë në ndërtimin e një bashkëpunimi më substancial, më të sinqertë dhe më të qëndrueshëm në rajon”, thekson ai.

Vlen të përmendet se Procesi i Bërdo-Brionit është një nismë rajonale që mbledh liderët e vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe është iniciuar në vitin 2013 me qëllim që të nxisë bashkëpunimin dhe të përshpejtojë integrimet evropiane të rajonit.

Mehmeti: Nuk besoj që Kosova do të duhej ta organizon një samit të tillë me praninë e Vuçiçit

Kurse, analisti politik, Faton Mehmeti, e ka cilësuar si të qëlluar vendimin e Zoran Milanoviç për anulimin e samitit, duke e parë atë si një kundërpërgjigje ndaj deklaratave të Aleksandar Vuçiç.

Sipas tij, Vuçiçi me retorikën e tij nxit tensione në rajon dhe për këtë arsye nuk do të duhej të ishte pjesë e takimeve të tilla.

“Besoj se vendimi i presidnetit të Kroacisë është shumë i qëlluar, dhe si i tillë do të duhehqë edhe Kosova të reagonte dhe kjo vjen menjëhrë pas deklaratave keqdashëse të Vuçiçit se Kosova, Shqipëria dhe Koracia po bëjnë një Samit, Samit ky që e kanë bërë më herët, një lloj puçi, një lloj kërcënimi për rajonin, thjesht kjo një kundërpërgjigje shumë e drejtë nga ana e presidentit të Kroacisë edhe besoj që ky Samit nuk do të duhej me përfundu me ardhjen e Vuçiçit në Zagreb, në fakt atij duhet ti ndalohej ardhja edhe në Shqipëri e Kosova, kudo që mbahet samiti sepse nëse ka një njeri që nxit konfliktet në rajon është pikërisht Vuçiçi”, tha ai.

Mehmeti ka theksuar se, sipas tij, përpjekjet e Aleksandar Vuçiç për të paraqitur të tjerët si kërcënim dhe veten si faktor paqeje janë pjesë e një qasjeje të përsëritur politike.

Ai ka shtuar se Kosova duhet të synojë rolin e lidershipit në nisma rajonale, por pa pjesëmarrjen e Vuçiçit, të cilin e akuzon për mohimin e krimeve dhe nxitjen e tensioneve në rajon.

“Kështu që, tentatva e tij, për t’i paraqit tjerët si kërcënim e veten si paqësor, thjeshtë është një parapavijë politike që gjithmonë e ka përdor, kështu që nuk besoj që Kosova do të duhej ta organizon një samit të tillë me praninë e Vuçiçit. Thjeshtë, Kosova ka nevojë me qenë lidere e nismave rajonale e më gjerë, por pa pjesëmarrjene Vuçiçit, derisa ai mohon gjenocidin e masakrave, mohon krimet, thjeshtë ai është në një farë mënyre bashkëautori i tyre, në këtë kuptim nuk ka vend për Vuçiçin në asnjë samit”,