Arratisje si në filma, gruaja me pranga del nga dritarja e makinës dhe i ikën policisë

p>Një video e pazakontë po qarkullon me shpejtësi në rrjetet sociale, duke treguar momentin kur një grua arrin të arratiset nga një makinë policie në Michigan, SHBA. Skena, që duket si e shkëputur nga një film aksioni, ka tërhequr vëmendjen e mijëra përdoruesve, pasi ajo ia del të largohet edhe pse kishte duart e prangosura.

 

Ngjarja ka ndodhur pasditen e së shtunës në zonën e Muskegon Heights, pas një kontrolli rutinë nga policia. Sipas autoriteteve, njëra prej pasagjereve rezultonte me urdhër arresti për shkelje të kushteve të lirimit me kusht.

Pasi identiteti i saj u verifikua përmes gjurmëve të gishtërinjve, gruaja u arrestua dhe u vendos në pjesën e pasme të makinës së patrullës. Megjithatë, siç tregon videoja, ajo përfitoi nga një dritare e lënë gjysmë e hapur dhe, me lëvizje të kujdesshme, arriti të nxirrte trupin jashtë, pavarësisht prangave.

Arratisja ndodhi pa u vënë re menjëherë nga oficerët, ndërsa mungesa e saj u konstatua pak më vonë, kur një efektiv iu afrua automjetit dhe zbuloi se ajo ishte zhdukur. Kjo ngriti menjëherë alarmin dhe nisi një operacion për kapjen e saj.

Rreth një orë pas arratisjes, një banor i zonës raportoi një tentativë vjedhjeje, duke ngritur dyshime se gruaja mund të jetë e përfshirë. Autoritetet vijojnë hetimet, ndërsa e arratisura mbetet ende në kërkim.