Debati nisi pas deklaratave të Veton Surroit në podcastin “PIKË”, ndërsa Vlora Çitaku reagoi duke mbrojtur rolin e Hashim Thaçit në shpalljen e pavarësisë.
Një debat publik ka shpërthyer në rrjetet sociale mes publicistit Veton Surroi dhe sekretarës së përgjithshme të Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, lidhur me rrethanat se kush do ta lexonte Deklaratën e Pavarësisë së Kosovës.
Diskutimi nisi pasi Surroi, në podcastin “PIKË” me gazetarin dhe aktivistin Blerim Shala, foli për rrethanat politike dhe “koincidencat historike” që, sipas tij, ndikuan në atë se kush e lexoi Deklaratën e Pavarësisë. Ai theksoi se nëse shpallja e pavarësisë do të kishte ndodhur më herët, siç ishte planifikuar fillimisht, në krye të institucioneve do të ishin kryeministri i atëhershëm Agim Çeku dhe presidenti Fatmir Sejdiu. Sipas Surroit, edhe në vitin 2008 deklarata do të duhej të lexohej nga presidenti.
Pas këtyre deklaratave reagoi Çitaku përmes një postimi në Facebook, duke thënë se “urrejtja verbon dhe ta humb arsyen”. Ajo theksoi se shpallja e pavarësisë nuk ishte çështje rastësie dhe se çdo detaj i asaj dite ishte përgatitur me kujdes të madh nga institucionet e Kosovës në koordinim me juristë dhe ekspertë ndërkombëtarë.
Çitaku, e cila tha se kishte udhëhequr komisionin ndërinstitucional për përgatitjet e shpalljes së pavarësisë, theksoi se formulimi i Deklaratës ishte hartuar me kujdes për të përballuar sfidat juridike ndërkombëtare, përfshirë padinë e Serbisë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë.
Ajo mbrojti rolin e ish-kryeministrit Hashim Thaçi, duke theksuar se ai nuk e fitoi “lotarinë” për ta shpallur pavarësinë, por e kishte mandatin nga qytetarët si lideri më i votuar në atë kohë.
Pas reagimit të saj, Surroi sqaroi përmes një tjetër postimi në Facebook se në podcast kishte shpjeguar pritshmëritë për shpalljen e pavarësisë në vitin 2007 dhe bisedën e tij me ish-presidentin amerikan George W. Bush. Sipas tij, delegacioni i Kosovës kishte qenë i përgatitur për shpallje atëherë, por fuqitë e mëdha që sponsorizonin procesin e koordinuar kishin ushtruar presion për shtyrjen e datës.
Surroi theksoi se, nëse shpallja do të kishte ndodhur më herët, deklaratën do ta lexonte ose kryeministri i atëhershëm Agim Çeku ose presidenti Fatmir Sejdiu, duke shtuar se sipas tij presidenti do të duhej të ishte ai që e lexon deklaratën, pavarësisht se kush ishte kryeministër.
Ai gjithashtu mohoi se në deklaratat e tij ka pasur urrejtje, duke thënë se ajo nuk është mjet i shprehjes së tij, por shtoi se shpesh është përballur me reagime të ashpra dhe ofendime në rrjetet sociale.