‘Nuk ka rrugë të shkurtra për në BE’ Media italiane: Brukseli refuzon nismën e Ramës dhe Vuçiçit

Propozimi i Kryeministrit Edi Rama dhe Presidentit serb Aleksandar Vučić për një formë anëtarësimi të pjesshëm të vendeve të Ballkanit në Bashkimin Evropian nuk ka gjetur mbështetje në Bruksel.

Sipas medias italiane IlNordEst, reagimi i institucioneve evropiane përbën një “dush të ftohtë” ndaj nismës së dy liderëve, e cila synonte integrimin e menjëhershëm në tregun e përbashkët dhe zonën Shengen, pa përfshirje të plotë në strukturat vendimmarrëse të BE-së.

 

Në të njëjtën linjë, edhe gazeta gjermane Frankfurter Allgemeine Zeitung raportoi se propozimi parashikonte një model të ndërmjetëm integrimi, ku vendet e rajonit do të përfitonin ekonomikisht, por pa të drejta si vetoja apo përfaqësimi në institucionet kryesore evropiane.

Megjithatë, Komisionerja për Zgjerimin në Bashkimin Evropian, Marta Kos, ka refuzuar qartë çdo ide për “rrugë të shkurtra” drejt integrimit. Ajo theksoi se përfshirja në tregun e përbashkët apo në zonën Shengen kërkon përmbushjen e standardeve të njëjta dhe reforma po aq të thella sa ato për anëtarësimin e plotë në BE.

“Rama dhe Vuçiç ndoshta nuk e dinë sa përpjekje duhen për t’u bërë pjesë e Shengenit ose e tregut të vetëm”, u shpreh Kos gjatë një aktiviteti të organizuar nga Politico, duke nënvizuar se këto objektiva nuk mund të arrihen përmes zgjidhjeve të ndërmjetme.

Deklaratat e saj kanë nxitur reagime të ndryshme. Nga njëra anë, përfaqësues serbë në BE kanë kundërshtuar këtë qëndrim, duke theksuar se Beogradi dhe Tirana janë të vetëdijshme për kërkesat e procesit dhe se integrimi gradual mund të jetë një rrugë pragmatike.

Nga ana tjetër, zëra nga shoqëria civile, si Bojana Selaković, e kanë interpretuar mesazhin e Brukselit si një sinjal të qartë për nevojën e përshpejtimit të reformave përpara çdo hapi drejt integrimit.

Debati mbi këtë nismë pritet të vijojë, ndërsa Bashkimi Evropian mbetet i vendosur në qëndrimin se procesi i anëtarësimit kërkon përmbushje të plotë të kritereve, pa alternativa të përshpejtuara.