Strategjia e Beogradit kundër Albin Kurtit, ish-hetuesi jep detaje

Ministri i Punëve të Jashtme i Serbisë, Marko Gjuriq, ka deklaruar se Serbia po vepron në mënyrë aktive kundër kryeministrit Albin Kurti.

Ish hetuesi Agim Rexhepi, në një prononcim për “Bota sot”, ka deklaruar se pohimi i Gjuriq për veprime kundër Albin Kurti nuk është i rastësishëm, por dëshmi e një qasjeje të vazhdueshme të Serbisë ndaj Kosovës.

Rexhepi ka thënë se kjo reflekton përpjekjet sistematike të Beogradit për të minuar subjektivitetin ndërkombëtar të Kosovës, përmes lobimit kundër anëtarësimeve dhe njohjeve, si dhe duke e paraqitur Kurtin si faktor destabilizues në arenën ndërkombëtare.

“Deklarata e Ministrit të Jashtëm të Serbisë, Marko Gjuriq, se Serbia po vepron në mënyrë aktive kundër kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, nuk është as e rastësishme dhe as e papritur. Përkundrazi, ajo përbën një konfirmim të hapur të një qasjeje të vazhdueshme të Beogradit zyrtar ndaj institucioneve të Kosovës dhe ndaj kursit politik që përfaqëson Kurti.

Në thelb, kjo deklaratë duhet parë në disa dimensione kryesore:

Së pari, dimensioni diplomatik dhe ndërkombëtar.

Serbia, në mënyrë sistematike, ka intensifikuar përpjekjet për të minuar subjektivitetin ndërkombëtar të Kosovës. Kjo përfshin lobim aktiv kundër anëtarësimit në organizata ndërkombëtare, pengim të njohjeve të reja dhe përpjekje për të tërhequr njohjet ekzistuese. Në këtë kuadër, sulmet verbale ndaj Kurtit synojnë ta paraqesin atë si faktor destabilizues në sytë e partnerëve ndërkombëtarë”, ka thënë ai.

Po ashtu, Rexhepi ka potencuar se deklarata e Gjuriqit tregon katër fusha kryesore të veprimeve serbe ndaj Kosovës.

“Së dyti, dimensioni i sigurisë.

Zhvillimet e fundit në veri të Kosovës kanë treguar se strukturat paralele dhe elemente të lidhura me Serbinë vazhdojnë të jenë aktive. Kjo përfshin mbështetje indirekte për grupe që sfidojnë rendin kushtetues të Kosovës, tensione të organizuara dhe përpjekje për të krijuar krizë të vazhdueshme sigurie. Këto veprime nuk mund të ndodhin pa një koordinim të caktuar politik dhe institucional nga Serbia.

Së treti, dimensioni politik dhe ndërhyrja në punët e brendshme.

Deklarata e Gjuriqit mund të interpretohet edhe si sinjal i një përpjekjeje më të gjerë për të ndikuar në skenën politike të brendshme në Kosovë. Kjo mund të manifestohet përmes mbështetjes së aktorëve të caktuar politikë, propagandës mediatike, dezinformimit dhe tentativave për të delegjitimuar qeverinë aktuale. Një qasje e tillë përbën ndërhyrje të drejtpërdrejtë në sovranitetin politik të Kosovës.

Së katërti, dimensioni i dialogut.

Këto deklarata ndikojnë drejtpërdrejt në klimën e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Duke personalizuar konfliktin dhe duke e targetuar Kurtin si individ, Serbia tenton ta zhvendosë fokusin nga obligimet e saj në proces dhe nga marrëveshjet e arritura, duke e politizuar tej mase procesin”, ka theksuar ai.

Në fund, Rexhepi ka nënvizuar se deklarata e Gjuriqit nuk është thjesht retorikë, por pjesë e një strategjie shtetërore për të sfiduar shtetësinë e Kosovës dhe për të dobësuar pozicionin e Albin Kurti.

“Si përfundim mund të themi se, deklarata e Marko Gjuriq nuk është thjesht retorikë politike, por pjesë e një strategjie më të gjerë shtetërore. Ajo reflekton një vazhdimësi të qasjes së Serbisë për të sfiduar shtetësinë e Kosovës dhe për të dobësuar pozicionin e Albin Kurti si përfaqësues i saj legjitim.

Në këtë kontekst, institucionet e Kosovës dhe partnerët ndërkombëtarë duhet ta trajtojnë këtë jo vetëm si deklaratë politike, por si sinjal serioz për nevojën e vigjilencës së shtuar në fushën e diplomacisë, sigurisë dhe mbrojtjes së rendit kushtetues”, ka përfunduar Rexhepi.