Kryeministri flet për ardhjen e rrjetit gjerman si arritje të qeverisë, por burime të tregut thonë se negociatat janë zvarritur prej vitesh, mes pasigurisë, interesave të forta dhe mungesës së garancive për konkurrencë të ndershme…
Rama e paraqiti LIDL si provë se Shqipëria ka hyrë në një nivel tjetër për investimet e huaja. Por pas kësaj fasade qëndron një histori e gjatë vonesash, dyshimesh dhe një tregu që, sipas burimeve, nuk i ka ofruar gjigandit gjerman as rregulla të qarta, as siguri reale.
Kryeministri Edi Rama doli para investitorëve të huaj dhe shpalli si lajm të madh afrimin e rrjetit gjerman LIDL në Shqipëri. Ai e paraqiti këtë lëvizje si tregues se vendi ka hyrë në një stad tjetër për investimet e huaja.
LIDL është një nga rrjetet më të mëdha të tregtisë me pakicë në Europë. Kompania njihet për çmime të ulëta, volum të madh shitjesh dhe orientim të fortë drejt shtresave me të ardhura të kufizuara.
Në deklarimin e tij, Rama tha se përfaqësuesit e LIDL ndodhen në Shqipëri dhe po punojnë për hapjen e objektit të parë. Ai shtoi edhe frazën politike që kërkonte efekt publik: “Kur vijnë gjermanët, vërtet je në një nivel tjetër”.
Por burime të tregut thonë se kjo histori nuk nisi tani. Sipas tyre, kontakti dhe marrëveshjet paraprake me grupin Schwarz, që zotëron LIDL, janë të vjetra dhe hyrja në tregun shqiptar është zvarritur prej vitesh.
Në vend të një procesi të qartë dhe të shpejtë, kompania është përballur me një treg të turbullt, me pasiguri dhe me një klimë që nuk garanton konkurrencë të ndershme.
Sipas të njëjtave burime, gjatë kësaj kohe tregu i shitjes me pakicë ka kaluar në lëvizje të forta. Janë futur operatorë të rinj, janë blerë struktura me probleme financiare dhe është krijuar ideja se ardhja e një gjigandi europian do të ndryshonte ekuilibrat e retail-it shqiptar.
Në këtë periudhë, disa kompani nga Kosova hynë në tregun shqiptar, duke marrë pjesë të rrjeteve të supermarketeve që mbartnin borxhe dhe vështirësi financiare. Sipas burimeve, atyre u është servirur ideja se prania e ardhshme e LIDL mund të rriste vlerën e këtyre strukturave ose të sillte mundësi bashkëpunimi të mëvonshëm.
Por LIDL, gjithnjë sipas informacionit që qarkullon në treg, nuk pranoi të hynte verbërisht në një ambient ku rregullat mbeten të paqarta. Kompania duket se ka kërkuar një gjë themelore, zbatim ligji, standarde të njëjta për të gjithë dhe garanci se nuk do të përballet me kosto të fshehura, deformim tregu dhe favore selektive.
Ky është thelbi i çështjes. Rama po e paraqet sot hyrjen e LIDL si sukses politik. Por vetë vonesa shumëvjeçare ngre një pyetje të thjeshtë: pse një rrjet i madh gjerman nuk hyri më herët në Shqipëri, nëse klima e biznesit ishte kaq e favorshme sa e shet propaganda qeveritare?
Burime jozyrtare thonë se kompania ka pezulluar për një periudhë të gjatë çdo angazhim konkret, pikërisht sepse nuk ka gjetur sigurinë që kërkon një investitor i përmasave të tilla. Të njëjtat burime thonë se pala gjermane nuk ka kërkuar privilegje, por vetëm shtet funksional, ligj të zbatueshëm dhe administratë serioze.
Kjo shpjegon edhe distancën që, sipas disa burimeve, LIDL ka mbajtur nga përdorimi politik i emrit të saj. Rama tentoi ta kthejë ardhjen e rrjetit në dekor për takimet me investitorë. Por nëse kompania hyn realisht në treg, ajo pritet ta bëjë këtë sipas logjikës së vet tregtare, jo si pjesë e një fushate propagandistike të qeverisë.
Pikërisht këtu nis kontradikta. Kryeministri flet për sukses. Tregu flet për vonesa. Qeveria flet për klimë të shkëlqyer. Investitori, sipas burimeve, ka kërkuar garanci bazike që një shtet normal duhet t’i japë pa negocim.
Nëse LIDL hap pikën e parë në Tiranë, kjo nuk do të mjaftojë për të larë historinë e zvarritjes. Përkundrazi, do ta bëjë edhe më të dukshme. Sepse do të dalë qartë se pengesa nuk ka qenë mungesa e interesit të investitorit gjerman, por mjedisi ku ai u detyrua të hyjë.
Kryeministri tentoi ta përdorë politikisht hyrjen e LIDL, duke thënë se “kur vijnë ata do të thotë se jemi në një nivel të lartë”. Në fakt, Shqipëria, që nga koha e Ramiz Alisë e deri më sot ka refuzuar rregullisht hyrjen e kapitalit të fuqishëm gjerman, duke nisur nga Deutsche Telekom, industria, turizmi, e deri te LIDL.
Një zyrtar i lartë gjerman i ka bërë të ditur Edi Ramës në një takim me të se “populli shqiptar duhet të dijë arsyen përse refuzohen investimet gjermane në Shqipëri. Ne e dimë i ka thënë, madje me detaje por duhet që ta dijnë edhe shqiptarët. Nëse nuk ja thoni ju, do t’ja themi ne”.
Kjo frazë e ka terrorizuar kryeministrin, pasi nëse zbulohet e vërteta se kush është para kësaj loje të ndyrë kundër gjermanëve, mund të bjerë brenda një jave./Pamfleti