Mbrenda telefonit të Fatmir Shehollit dhe mundësia e artë për të zbuluar rrjetin serbo-kosovar të spiunazhit

Arrestimi i Fatmir Shehollit më 9 tetor 2025 nga Prokuroria Speciale e Kosovës nën akuzën e spiunazhit ka hapur një kapitull të ri në luftën kundër influencës së huaj dhe rrjeteve kriminale që veprojnë brenda institucioneve të Kosovës.
Burimet hetimore dhe investigative thonë se telefoni celular i Shehollit, i konfiskuar gjatë bastisjes në banesën e tij, mund të jetë “çelësi i artë” për zbulimin e bashkëpunëtorëve të tij të drejtpërdrejtë dhe lidhjeve me Bojan Dimiçin, zyrtar i lartë i BIA-s serbe.
Sipas dosjes së Prokurorisë Speciale, Sheholli operonte nën urdhrat e drejtpërdrejta të Bojan Dimiçit. Ai mblidhte informacione sensitive mbi pronat e komunitetit serb, aktivitetet e biznesit dhe funksionimin e institucioneve kosovare, të cilat ia dërgonte Dimiçit përmes komunikimeve telefonike dhe mesazheve.
Më 26 shtator 2025, sipas planit operacional të përgatitur nga Dimiçi, Sheholli shkoi në Mitrovicën e Veriut dhe mori materiale audio komprometuese të zyrtarëve të Ministrisë së Komuniteteve dhe Kthimit, bashkë me para si shpërblim. Këto materiale u publikuan më vonë në media online.
Gazetari investigativ Fitim Çeku, në hulumtimet e tij të publikuara prej disa muajsh, ka zbuluar se Sheholli dhe Dimiçi kryenin operacione të fshehta duke shfrytëzuar institucionet e Kosovës. Çeku thekson se rrjeti funksiononte si një makinë hibride: nga Beogradi deri te Prishtina, me qëllim kontrollin e vendimmarrjes politike dhe ekonomike në Kosovë.
Deputetë të paguar me kontrata fiktive nga “mafia energjetike”
Disa burime të sigurta, të cilat Fitim Çeku i ka cituar në investigimet e tij, pretendojnë se Sheholli dhe Dimiçi mbanin nën kontroll edhe deputetë të Kuvendit të Kosovës. Pagesat dyshohet se bëheshin përmes mafisë energjetike me kontrata fiktive në emër të “konsulencës”. Qëllimi ishte i dyfishtë: të shtrihej rrjeti i mafisë energjetike në Kosovë dhe njëkohësisht, të krijohej një rrjet shantazhi që arrinte deri te BIA serbe.
Këto kontrata fiktive, sipas burimeve, shërbenin si mjet për të blerë heshtjen ose votat e deputetëve në çështje kyçe, duke i bërë ata pjesë të një sistemi korrupsioni që kalonte kufijtë shtetërorë.
Lidhjet me qeverinë dhe Presidencen, Milan Radojçiqin dhe zgjedhjen e Presidentes 2021
Burimet investigative thonë se Fatmir Sheholli mbante kontakte të rregullta me stafin e zyres se Presidentit dhe me zyrtarë të tjerë të lartë. Ai vetë ka pranuar publikisht se ka qenë i përfshirë “prapa skenës” në procesin e zgjedhjes së Vjosa Osmanit si Presidente e Kosovës në vitin 2021. Sheholli ka folur hapur për rolin e tij në bindjen e deputetëve Adem Hoxha dhe Fadil Gashi.
Për më tepër, audio-incizime publike (të publikuara nga RTK dhe media të tjera) tregojnë se Sheholli ka pasur “miqësi të madhe” me Milan Radojçiqin, ish-kryetar i Listës Serbe dhe i akuzuar për krime të rënda.
Ai e ka mbrojtur publikisht Radojçiqin dhe ka folur për bashkëpunimin e tyre në çështje politike.
Çfarë tregon telefoni i Shehollit?
Gjatë arrestimit u bë bastisje e plotë në banesën e Shehollit. Telefoni, mesazhet, dokumentet dhe komunikimet e tij janë konfiskuar si provë kryesore. Prokuroria Speciale ka konfirmuar se hetimet vazhdojnë dhe se ka prova direkte të lidhjeve me Dimiçin/Gazzetta Journal/