Nga Skënder Sadri Kapiti
Dikur, Vjosa formoi Partinë “GUXO”, e cila simbolizonte guximin politik dhe intelektual për të kundërshtuar ish-pushtetin e asaj kohe të mbushur me korrupsion, si dhe për të nxitur reformimin e LDK-së.
Mirëpo, kur Presidentja Osmani u fuqizua me pushtet, ajo filloi të “guxojë” në mënyra që mund ta çojnë përfundimisht larg postit presidencial, duke rrezikuar edhe diskualifikimin dhe ndëshkimin politik. Në kohët moderne të teknologjisë dhe informacionit, asnjë pushtetar nuk mund të fshihet më në “pallate” perandorake, mbretërore, diktatoriale apo demokratike, sado që të përpiqet të maskojë veprimet e tij dhe të përdorë artin e mashtrimit.
Sot, as mashtrimet dhe as imazhi mashtrues i pushtetit nuk zgjatin shumë, pasi shpejt zbulohen. Presidentja Osmani, me ambicien e saj të pushtetit dhe me etjen egoiste për të qëndruar në kolltukun presidencial, nxiti dekretin për shpërndarjen e Parlamentit vetëm pse ky i fundit nuk e rikandidoi për një mandat tjetër.
Në një kohë kur Serbia po armatoset deri në dhëmbë kundër Kosovës, kur paqja globale është në rrezik për shkak të konfliktit ruso-ukrainas, dhe kur Lindja e Mesme është e tensionuar mes SHBA-së, Izraelit dhe Iranit, vendimi i Presidentes për të shpërndarë Parlamentin shkakton një krizë të panevojshme dhe të dëmshme për Kosovën.
Historia tashmë ka shënuar këtë moment, dhe koha do të tregojë të vërtetën: pse ndodhi kështu, dhe si një aleancë partiko-opozitare me Presidenten e Kosovës doli kundër zgjedhjeve parlamentare dhe demokratike të 28 Dhjetorit 2025, duke sfiduar verdiktin dhe vullnetin demokratik të qytetarëve të Kosovës.