Ekskluzive/ PDK propzon dy emra për President

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) pritet të mbajë nesër një mbledhje të rëndësishme të strukturave të saj drejtuese, e caktuar për në orën 14:00, ku në fokus kryesor do të jetë çështja e zgjedhjes së presidentit të vendit.

Sipas burimeve të sigurta të Gazetës Minuti brenda kësaj partie, gjatë kësaj mbledhjeje pritet të konkretizohet një ofertë politike që do t’i drejtohet kryeministrit Albin Kurti. Burimet bëjnë të ditur se PDK do të propozojë dy emra potencialë për postin e presidentit, si pjesë e një kompromisi të mundshëm për tejkalimin e ngërçit institucional.

E njëjta ofertë, sipas këtyre burimeve, do të shoqërohet me një kusht të qartë: nëse kryeministri Kurti dhe shumica parlamentare e pranojnë këtë propozim, atëherë PDK është e gatshme të marrë pjesë në seancën e Kuvendit për zgjedhjen e presidentit, duke kontribuar në sigurimin e kuorumit dhe votave të nevojshme.

Ky zhvillim vjen në një moment kritik për vendin, kur institucionet janë përballë afateve kushtetuese dhe presionit për të gjetur një zgjidhje të qëndrueshme politike. Lëvizja e PDK-së shihet si një sinjal për gatishmëri për kompromis, por mbetet të shihet nëse kjo ofertë do të pranohet nga pala tjetër.

Gazeta Minuti mëson se emrat konkretë që pritet të propozohen janë ende në fazën finale të diskutimeve brenda partisë dhe mund të zyrtarizohen pas mbledhjes së nesërme.

Ndërkohë, Gazeta Minuti do të publikojë së shpejti emrat e përfolur për këtë post, që sipas burimeve, konsiderohen figura me profil të lartë politik dhe institucional.