Zhvillime të reja dhe vendimtare pritet të shënojnë skenën politike në Kosovë, pasi burime të sigurta të Gazeta Minuti, brenda Partisë Demokratike të Kosovës bëjnë të ditur se ish-ministri i Jashtëm, Enver Hoxhaj, është emri që po konsolidohet si kandidat unifikues për postin e Presidentit të Republikës.
Sipas këtyre burimeve, gjatë konsultimeve intensive brenda strukturave të PDK-së, veçanërisht me kryetarët e degëve, figura e Hoxhajt ka marrë mbështetjen më të gjerë si opsioni më konsensual për tejkalimin e ngërçit institucional.
Ky zhvillim vjen në prag të mbledhjes së rëndësishme të partisë, ku pritet të formalizohet oferta politike që do t’i dërgohet kryeministrit Albin Kurti, në kuadër të përpjekjeve për zgjedhjen e presidentit dhe shmangien e vendit nga një cikël i ri zgjedhor.
Burimet e Gazeta Minuti theksojnë se Hoxhaj po konsiderohet figurë e pranueshme jo vetëm brenda PDK-së, por edhe për Lëvizjen Vetëvendosje dhe partitë opozitare, duke e kthyer atë në kandidatin potencial që mund të sigurojë konsensus parlamentar.
Një faktor kyç në këtë vlerësim, sipas të njëjtave burime, është profili i tij diplomatik dhe reputacioni ndërkombëtar. Si ish-kryediplomat i Kosovës dhe njohës i thellë i marrëdhënieve ndërkombëtare, Hoxhaj shihet si figurë stabilizuese në një moment të ndjeshëm politik dhe gjeopolitik për vendin.
Brenda qarqeve politike po vlerësohet se mbështetja për një kandidat konsensual mund të jetë rruga e vetme për të shmangur zgjedhjet e reja dhe për të ruajtur stabilitetin institucional.
Nëse kjo formulë pranohet nga shumica parlamentare, PDK pritet të marrë pjesë aktive në seancën për zgjedhjen e presidentit, duke kontribuar në sigurimin e kuorumit dhe votave të nevojshme.
Zyrtarizimi i emrit pritet pas mbledhjes së nesërme, ndërsa zhvillimet e orëve në vijim mund të përcaktojnë drejtimin politik të Kosovës për vitet e ardhshme.