Albin Kurti bën veprimin e parë për zgjedhjen e Presidentit

Sipas burimeve të sigurta të Gazeta Minuti, kryeministri i Kosovës dhe njëherësh lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka thirrur një mbledhje të rëndësishme të Kryesisë së partisë, e cila pritet të pasohet edhe nga një takim me deputetët e LVV-së.

Këto zhvillime vijnë në një moment vendimtar politik, teksa vendi po përballet me një situatë të ndërlikuar rreth procesit të zgjedhjes së presidentit. Burimet bëjnë të ditur se në këto takime do të diskutohet intensivisht për hapat konkretë që duhet të ndërmerren për të tejkaluar krizën aktuale institucionale.

Sipas informacioneve të njëjta, Kurti pritet të marrë iniciativën e parë konkrete pikërisht në këtë fazë, duke ndryshuar qasjen e deritanishme të partisë. Në vend të emrit të përfolur dhe propozuar më herët, Fatmire Kollçaku, burimet tregojnë se tashmë është në shqyrtim serioz një kandidat i ri për postin e presidentit.

Ky veprim shihet si një përpjekje për të zhbllokuar situatën politike dhe për të krijuar një hapësirë të re konsensusi me partitë tjera parlamentare. Brenda LVV-së, sipas burimeve, ekziston bindja se një emër i ri mund të rrisë gjasat për arritjen e një marrëveshjeje dhe përfundimisht për zgjedhjen e presidentit.