Burime të afërta me “Gazeta Minuti” bëjnë të ditur se zhvillimet e fundit rreth raportimeve për një vendim të mundshëm “non grata” ndaj ministres Donika Gërvalla kanë nxitur reagim të menjëhershëm edhe në nivelin më të lartë institucional në Kosovë.
Sipas këtyre burimeve, kryeministri Albin Kurtika zhvilluar një bisedë telefonike me homologun e tij në Shqipëri, Edi Rama, për të kërkuar sqarime të drejtpërdrejta lidhur me këto raportime që kanë qarkulluar në media dhe rrjete sociale.
Burimet brenda ekzekutivit kosovar tregojnë se gjatë kësaj bisede, Kurti ka shprehur shqetësimin e tij për ndikimin që mund të kenë këto lajme në marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve, duke kërkuar një përgjigje të qartë nëse ekziston apo jo një vendim i tillë nga autoritetet shqiptare.
Mësohet se kryeministri Rama, sipas të njëjtave burime, ka mohuar ekzistencën e një vendimi zyrtar për shpalljen “non grata” të Gërvallës, duke theksuar se raportimet e publikuara nuk qëndrojnë dhe nuk reflektojnë qëndrimin e institucioneve në Tiranë. Ai thuhet të ketë siguruar Kurtin se marrëdhëniet mes Kosovës dhe Shqipërisë mbeten të qëndrueshme dhe pa asnjë tension të natyrës së tillë.
Kjo bisedë telefonike vjen menjëherë pas hapave të ndërmarrë nga vetë ministrja Gërvalla, e cila, sipas burimeve të “Gazeta Minuti” brenda Ministrisë së Drejtësisë, i ka dërguar një shkresë zyrtare Qeverisë së Shqipërisë për të kërkuar verifikimin e këtyre pretendimeve.
Zhvillimet e fundit kanë tërhequr vëmendje të madhe në opinionin publik, duke ngritur pikëpyetje mbi burimin e këtyre raportimeve dhe qëllimin e shpërndarjes së tyre.
Ndërkohë, pritet që institucionet përkatëse në të dy vendet të dalin me deklarata të qarta në ditët në vijim, për të mbyllur përfundimisht këtë çështje dhe për të shmangur çdo keqinterpretim që mund të ndikojë në raportet mes Prishtinës dhe Tiranës.