Një ngjarje e rëndë dhe tragjike ka tronditur sot opinionin publik në vend, ku një person dyshohet se ka vrarë vëllain e tij pas një konflikti familjar.
Sipas burimeve të afërta me Gazetën Minuti, rasti ka ndodhur në fshatin Bokshiq të Klinës, ku Faruk Isufi dyshohet se u qëllua për vdekje me armë zjarri nga vëllai i tij, Jetmir Isufi.
Burime bëjnë të ditur se incidenti ka ndodhur brenda shtëpisë së familjes, ku mes dy vëllezërve kishte pasur tensione të vazhdueshme. Sipas të njëjtave burime, konflikti i fundit që çoi në tragjedi dyshohet të ketë nisur për çështje pronësore, konkretisht lidhur me të drejtat mbi një shtëpi.
Gjithnjë sipas burimeve, fillimisht mes tyre ka pasur një fjalosje që më pas ka eskaluar në përdorim të armës së zjarrit. Dyshohet se i dyshuari ka shtënë disa herë në drejtim të viktimës, duke e goditur në zonën e legenit dhe organet gjenitale.
Menjëherë pas incidentit, Faruk Isufi është transportuar me urgjencë në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Klinë, e më pas është dërguar për trajtim të mëtejshëm në Spitalin e Përgjithshëm në Pejë. Megjithatë, pavarësisht përpjekjeve të mjekëve për ta shpëtuar, ai kishte arritur në spital pa shenja jete.
Nga ana tjetër, organet e rendit kanë reaguar menjëherë, duke bërë arrestimin e të dyshuarit në vendin e ngjarjes. Lidhur me rastin, Prokuroria Themelore në Pejë ka konfirmuar se i dyshuari është ndaluar dhe është dërguar në mbajtje.
Sipas burimeve të Gazetës Minuti brenda organeve të drejtësisë, pritet që brenda afateve ligjore, Prokuroria të parashtrojë kërkesë në Gjykatën Themelore në Pejë për caktimin e masës së paraburgimit prej një muaji ndaj të dyshuarit.
Hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje tragjike janë duke vazhduar.