ARTAN KOLA SHPËRTHEN PAS ELIMINIMIT: “Produksioni më tradhtoi, donin ta dëmtonin Mateon me çaj të nxehtë!”

Eliminimi i Artan Kolës ka hapur menjëherë debat të madh në rrjet, ndërsa reagimi i tij i fundit ka shtuar edhe më shumë dyshimet dhe polemikat rreth asaj që ndodhi në prapaskenë. Përmes një mesazhi të publikuar në “story”, ai ka falënderuar publikun për mbështetjen, por njëkohësisht ka bërë deklarata të forta, duke lënë të kuptohet se largimi i tij nuk ishte aspak i zakonshëm.

 

Në reagimin e tij, Artan Kola shprehet fillimisht mirënjohës ndaj atyre që e kanë votuar dhe mbështetur gjatë gjithë rrugëtimit të tij. Ai thekson se e ndien se dalja e tij ka qenë e padrejtë dhe se situata, sipas tij, kishte marrë një tjetër drejtim vetëm pak para Prime-it.

“Faleminderit te gjitheve qe me votuat dhe me perkrahet aq shume per gjithe keto dite, e di qe dalja ime ishte e padrejte”, shkruan ai në nisje të mesazhit të tij, duke lënë të kuptohet se nuk e ka pritur aspak këtë fund të aventurës së tij në shtëpi.

 

Më tej, deklarata bëhet edhe më e fortë, pasi Artani pretendon se kishte marrë sinjale qetësuese nga produksioni. Sipas tij, para Prime-it i ishte thënë qartë se nuk ishte i rrezikuar dhe se nuk kishte arsye për shqetësim. Ai shkruan: “edhe produksioni me tha para prime se nuk jam i rrezikuar dhe te mos merzitem fare, ishte Nikol ajo qe do te dilte”.

 

Por, sipas asaj që pretendon ish-banori, gjithçka ndryshoi në momentin kur ai nuk pranoi të përfshihej në një situatë që, sipas tij, mund të kishte pasoja serioze për një nga banorët e tjerë. Në pjesën më tronditëse të reagimit, Artani shkruan: “Por plani ndryshoji kur une nuk desha te behem pjese e lojes se Rogrtit dhe Mirit qe te derdhi çajin e nxehte Mateos dhe te eleminiohet nga gara per arsye shendetsore”.

Kjo deklaratë ka ngjallur reagime të shumta, pasi bëhet fjalë për një akuzë shumë të rëndë, që prek jo vetëm marrëdhëniet mes banorëve, por edhe vetë mënyrën se si pretendohet të jetë menaxhuar loja në prapaskenë. Artani shkon edhe më tej, duke pretenduar se produksioni ka qenë në dijeni të gjithçkaje dhe se, sipas tij, synimi ishte që ngjarja të paraqitej si një incident i rastësishëm.

“Produksioni ishte pro kesaj pune por qe gjithcka te dukej e rastesishme dhe jo me qellim. Dhe rrezikun dhe pasojat ti mbaja une”, shkruan ai në mesazhin që po qarkullon gjerësisht në rrjet.

Në fund të reagimit të tij, Artan Kola zgjedh të falënderojë edhe një herë publikun, duke treguar se pavarësisht zhgënjimit, mbështetja e ndjekësve ka qenë shumë e rëndësishme për të. “Ju dua dhe falenderoj pa mase i juaji Artan Kola”, mbyllet deklarata e tij.

Deri tani nuk ka pasur një reagim zyrtar nga produksioni lidhur me këto pretendime, ndërsa deklarata e Artan Kolës pritet të ndezë edhe më shumë debatin publik. Mbetet për t’u parë nëse do të ketë një sqarim nga palët e përfshira, apo nëse kjo histori do të sjellë zhvillime të tjera në vazhdim.