Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti i ka dërguar një mesazh Vjosa Osmanit përmes Albulena Haxhiut, ku ka kërkuar bashkëpunim dhe shmangie të përplasjeve politike mes tyre, thonë burime të GazetaBlic.
Sipas burimeve, qëllimi i këtij komunikimi ka qenë ulja e tensioneve dhe krijimi i një klime më konstruktive institucionale.
Burimet e GazetaBlic theksojnë tutje se në këtë komunikim Kurti është bazuar në bashkëpunimin e mëhershëm mes palëve, duke e paraqitur atë si model për ndërtimin e një qasjeje më konstruktive edhe në të ardhmen.
GazetaBlic ka tentuar të marrë përgjigje nga Presidenca, por të njëjtit deri në publikimin e këtij lajmi nuk kanë kthyer përgjigje.
Ndryshe, Përplasjet mes Albin Kurtit dhe Vjosa Osmanit nuk nisën me një ngjarje të vetme, por u zhvilluan gradualisht pas periudhës së bashkëpunimit të ngushtë mes tyre.
Fillimisht, ata ishin aleatë politikë brenda Lëvizjes Vetëvendosje dhe bashkëqeverisën pas zgjedhjeve të vitit 2021. Megjithatë, me kalimin e kohës u shfaqën dallime në qëndrime dhe në mënyrën e ushtrimit të rolit institucional, raporton GazetaBlic.
Pikat kryesore të përplasjes lidhen me interpretimin e kompetencave institucionale, ku ekzistojnë qëndrime të ndryshme mbi rolin e Presidencës dhe të Qeverisë në procesin e vendimmarrjes.
Po ashtu, mospërputhje janë vërejtur edhe në fushën e politikës së jashtme dhe sigurisë, ku qëndrimet e dy institucioneve nuk kanë qenë gjithmonë të harmonizuara në raport me partnerët ndërkombëtarë.
Tensionet u thelluan gjatë procesit për zgjedhjen e presidentit. Pasi deklaroi se nuk arriti të sigurojë një emër konsensual me partitë opozitare, Kurti propozoi Glauk Konjufcën si kandidat për president.
Ky vendim u interpretua si përjashtim i mundësisë për rikandidimin e Osmanit, duke shkaktuar reagime dhe zhgënjim te një pjesë e mbështetësve.