Një incident i dhunshëm ka ndodhur në Veternik të Prishtinës, ku dy persona kanë përfunduar me lëndime trupore, pasi kishin shkuar për të kërkuar një borxh.
Ngjarja ka ndodhur më 12 mars rreth orës 20:20, në rrugën “Malo Gami”, ku sipas deklarimeve, E.U., rreth 33-vjeçar dhe E.U., rreth 30-vjeçar kishin shkuar në shtëpinë e të dyshuarit për të kërkuar një shumë parash që u detyrohej.
Sapo kanë arritur në oborrin e shtëpisë, sipas tyre, i dyshuari V.B., rreth 45-vjeçar i ka sulmuar fizikisht, duke i goditur në kokë me një mjet të fortë, për çka të dy kanë pësuar lëndime të lehta trupore.
Pas zhvillimit të hetimeve, policia ka arritur të sigurojë prezencën e të dyshuarit, i cili më 17 mars, në prani të avokatit mbrojtës, ka pranuar se i ka sulmuar, por ka mohuar përdorimin e armës.
Me vendim të Prokurorit kujdestar, ndaj tij është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.
Rasti është iniciuar si “Lëndim i lehtë trupor”, ndërsa hetimet janë në vazhdim.