Mimoza Kusari-Lila ka bërë të ditur se është mbajtur një takim i rëndësishëm me grupin punues për projektligjin që parasheh vendosjen e çmimeve tavan, si dhe me akterët përgjegjës për zbatimin e këtij ligji.
Sipas saj, në këtë takim janë diskutuar hapat e mëtejmë drejt avancimit të projektligjit, i cili konsiderohet me rëndësi të veçantë për rregullimin e tregut dhe mbrojtjen e konsumatorëve.
Kusari ka theksuar se gjatë diskutimeve janë shqyrtuar edhe komentet dhe rekomandimet e dhëna nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës gjatë vitit të kaluar, me qëllim që projektligji të përmirësohet dhe të bëhet sa më funksional në praktikë.
“Bashkërisht kemi propozuar sugjerime konkrete për të garantuar që ky ligj të zbatohet në mënyrë efikase dhe të japë rezultatet e pritura në terren”, ka deklaruar ajo.
Ministrja ka ritheksuar përkushtimin institucional për krijimin e një kornize ligjore të qëndrueshme, e cila do të sigurojë mbrojtje për qytetarët nga rritjet e paarsyeshme të çmimeve, duke garantuar njëkohësisht edhe funksionimin e drejtë dhe të balancuar të tregut.