Ekskluzive: Arrihet marrëveshja mes LDK-së dhe Vjosa Osmanit

Burime të sigurta të Gazeta Minuti bëjnë të ditur se tashmë është arritur një pajtim politik ndërmjet Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), për të garuar së bashku në një listë të përbashkët në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.

Sipas këtyre burimeve të Gazeta Minuti, marrëveshja konsiderohet si një nga zhvillimet më të rëndësishme politike të kohëve të fundit, duke sinjalizuar një rikonfigurim të skenës politike në vend. Në kuadër të këtij pajtimi, mësohet se Osmani pritet të jetë kandidate për kryeministre, një lëvizje që pritet të ndikojë fuqishëm në balancat politike dhe në garën elektorale.

Negociatat mes palëve thuhet se kanë zgjatur për disa javë dhe janë zhvilluar larg syrit të publikut, ndërsa fokusi kryesor ka qenë ndërtimi i një platforme të përbashkët politike dhe programore. Burimet theksojnë se marrëveshja përfshin edhe ndarjen e përgjegjësive brenda listës dhe koordinimin për një fushatë të përbashkët, raporton Gazeta Minuti.

Ky bashkëpunim i mundshëm shihet si një tentativë për të bashkuar elektoratin e qendrës dhe për të krijuar një alternativë të fortë përballë partive tjera në skenën politike. Kandidatura e Osmanit për kryeministre, nëse zyrtarizohet, pritet të mobilizojë një pjesë të madhe të votuesve, duke pasur parasysh profilin e saj dhe përvojën institucionale.

Zyrtarisht, as nga Presidenca dhe as nga LDK-ja nuk ka ende konfirmim publik për këtë marrëveshje, megjithatë, sipas burimeve të Gazeta Minuti, shpallja mund të ndodhë shumë shpejt, brenda ditëve në vijim.

Nëse ky koalicion formalizohet, ai pritet të ndryshojë ndjeshëm dinamikën e zgjedhjeve dhe të hapë një kapitull të ri në politikën kosovare.