“Hakmerret” Kurti ndaj Osmanit, i vendos kusht

Lëvizja Vetëvendosje duket se ka filluar një betejë “speciale” me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani. Pas dërgimit në Kushtetuese të dekretit presidencial për shpërndarjen e Kuvendit, partia e Albin Kurtit pritet të sfidojë sërish shefen e shtetit në fund të mandatit të saj.

Përbërja e re e KQZ-së është çështja e radhës ku do të përplasen presidentja Osmani dhe VV-ja.

Kjo pasi gazeta Nacionale ka mësuar se Lëvizja Vetëvendosje i ka dërguar 3 emra në Presidencë për emërim të tyre si anëtarë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.

Sipas një burimi të afërt me VV-në, partia e Kurtit pretendon se pas rezultatit zgjedhor të 28 dhjetorit i takojnë 3 anëtarë në KQZ.

Kërkesa e VV-së duket të jetë një “kurth” kushtetues për shefen e shtetit, ngase një çështje e tillë ishte adresuar edhe një herë në Gjykatë Kushtetuese.

Meqenëse Kushtetuesja e kishte hedhur poshtë kërkesën e presidentes për këtë çështje në vitin 2021, vendim i Osmanit në lidhje me emërimin e anëtareve të rinj të KQZ-së mund të përfundojë në Kushtetuese nga VV-ja.

Çka thotë Kushtetuta?

Ndonëse zgjedhjet e parakohshme të mbajtura më 28 dhjetor të vitit 2025, janë mbajtur vetëm për fuqinë e partive politike në Kuvendin e Kosovës, Vetëvendosje, e cila fitoi mbi 51% të votave, ka kërkuar që ashtu si gjysma e Kuvendit të Kosovës t’i takojë edhe gjysma e ulëseve të caktuara për grupet parlamentare të subjekteve politike shqiptare në KQZ.

Sipas Kushtetutës së Kosovës, 6 ulëse në KQZ, u takojnë 6 grupeve më të mëdha parlamentare, respektivisht subjekteve politike shqiptare, e 4 të tjera për komunitetet.

“Gjashtë (6) anëtarë emërohen nga pjesëtarët e gjashtë grupeve më të mëdha parlamentare të përfaqësuara në Kuvend, të cilët nuk kanë të drejtë të marrin pjesë në ndarjen e vendeve të rezervuara”, thuhet në paragrafin 6 të nenit 139.

Aktualisht, sipas rezultateve të 28 dhjetorit, në Kuvendin e Kosovës kanë arritur të hyjnë 4 subjekte politike shqiptare (LVV, PDK, LDK dhe AAK), prandaj, ndarja e 6 ulëseve duhet të bëhet për këto subjekte politike.

Por, në këtë situatë, kur numri i grupeve parlamentare nga radhët e subjekteve shqiptare është më i vogël, Kushtetuta ka dhënë zgjidhje, duke ia mundësuar grupit apo grupeve më të mëdha të emërojnë anëtarë shtesë.

“Nëse në Kuvend janë të përfaqësuara më pak grupe, grupi a grupet më të mëdha mund të emërojnë anëtarë shtesë”, thuhet në vazhdim të paragrafit të njëjtë.

Në këtë rrethanë, kur sipas rezultateve të 28 dhjetorit janë vetëm 4 grupe parlamentare, 4 ulëset e para duhet të ndahen për secilën prej tyre, ndërkaq për 2 vendet e mbetura zbatohet “emërimi i anëtarëve shtesë” për grupet më të mëdha, në këtë rast për LVV-në dhe PDK-në.

Çka tha Kushtetuesja në vitin 2021?

Një situatë të ngjashme ishe krijuar nga Lëvizja Vetëvendosje edhe në vitin 2021, kur Osmani kishte filluar konstituimin e KQZ-së sipas rezultateve të 14 shkurtit të atij viti.

Edhe asokohe, rezultatet ishin të njëjta për Lëvizjen Vetëvendosje, e cila kishte fituar mbi 50% të votave dhe në Kuvendin e Kosovës ishin 4 grupe parlamentare shqiptare (LVV, PDK, LDK dhe AAK).

Partia e Kurtit kishte dërguar te presidentja Osmani 3 emra për anëtarë në KQZ.

Menjëherë pas kësaj, Osmani nuk kishte miratuar kërkesën e VV-së, por iu kishte drejtuar për interpretim Gjykatës Kushtetuese.

Nga Kushtetuesja, Osmani kishte kërkuar të dijë se “cili është kriteri mbizotërues për të vendosur nëse dy (2) anëtarët shtesë të KQZ-së duhet të emërohen nga grupi më i madh parlamentar apo nga disa grupe parlamentare, sidomos kur një grup parlamentar ka fituar mbi 50% të votave në zgjedhje” dhe “nëse duhet të reflektohet parimi i proporcionalitetit (numri i deputetëve të një grupi parlamentar në raport me të tjerat) për të vendosur nëse dy (2) anëtarët shtesë në KQZ i takojnë vetëm një grupi apo disa grupeve parlamentare”.

Gjykata Kushtetuese e kishte hedhur poshtë si të papranueshme kërkesën e Osmanit për interpretim të nenit 139, me arsyetimin se nuk ka ngritur para Gjykatës konflikt të kompetencave kushtetuese.

Pas kësaj, Osmani kishte vendosur që partisë së Kurtit të mos i ndaheshin 3 ulëse në KQZ, por vetëm 2 të tilla.

Pas aktgjykimit të Kushtetueses, Osmani kishte emëruar anëtarin e dytë të PDK-së në KQZ dhe një anëtar tjetër nga radhët e komuntietit boshnjak.

Sipas njoftimit të presidentes Osmani, të datës 30 korrik 2021, vendimi kishte ardhur pas analizimit të aktvendimit të Gjykatës Kushtetuese.

Afati i partive politike për dërgimin me shkrim të propozimeve për anëtarë të KQZ-së në Presidencë ka përfunduar pasditen e 16 marsit.

Gazeta ka mësuar se përveç VV-së, propozimet e tyre në Presidencë i kanë dërguar edhe PDK, LDK-së, AAK dhe komunitete.