Në distancë, shkëmbyen disa fjalë.
Megjithatë, shumë më e ashpër deri më sot ka qenë presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, kundër kryeministrit Albin Kurti.
Indirekt e quajti njeri të rrezikshme. Tha se ia caktoi datën e zgjedhjeve që Kurti e dëshironte. Aludoi se Kurti ishte xheloz ndaj saj për raportet me Amerikën dhe punën e saj në diplomaci. Foli edhe për postin e ministres të cilin ia kishte ofruar Kurti.
Të gjitha këto, i tha presidentja Osmani në konferenca e intervista deri më sot.
Megjithatë, një qasje krejtësisht tjetër e ka ndjekur kryeministri Kurti. Ky i fundit në konferencën që e mbajti për media, tha se e ruan konfidencialitetin e bisedave.
Megjithatë, la të kuptohet që nëse Vjosa Osmani kthehet në politikë, atëherë edhe ai do të flas.
“Ne jemi takuar me presidenten qindra herë, gjatë këtyre më shumë se 5 viteve, në situata të ndryshme. Kemi pasur diskutime të panumërta, e ruajmë transparencën e proceseve, por na duhet ta ruajmë edhe konfidencialitetin e bisedave. Shumë biseda kemi bërë, ajo është kreu i shtetit ku unë jam kryeministër. Nuk është koha tash që të bëjmë diskutime publitike politike me presidenten e vendit. Nëse një ditë, siç është paralajmëruar, mund të kthehet në politikë, ajo do të ishte situatë tjetër”, deklaroi Albin Kurti.
Kur u pyet në deklaratën e fundit për fjalët e Osmanit se ia caktoi datën e zgjedhjeve që i konvenonte, Kurti sërish e luajti diplomatin. Tha se KQZ-ja nuk kishte mundur të përgatitet më herët.
“Për mendimin tim zgjedhjet nuk ka qenë e mundur të mbahen më 21 dhjetor, sepse ekzistonte shkresa nga KQZ-ja që thoshte se e kanë të pamundur organizimin e zgjedhjeve më 21 dhjetor, për sfidat teknike e logjistike. Nuk ka pasur mundësi tjetër për datë, përveç 28 dhjetor, nëse dikush do të mendonte se ka qenë e mundur më 4 janar, as kjo nuk ka qenë e mundur për shkak të aspektit buxhetor”, tha Kurti, raporton Nacionale.
Pra, përderisa Osmani ka komentuar e sulmuar Kurtin publikisht, ky i fundit duket se po pret momentin për ta ‘goditur’.
Raporti i afërt politik që u shfaq në publik për vite të tëra, tashmë ka prekur fundin, pasi Vetëvendosje vendosi të mos e kandidojë Vjosa Osmanin për president të shtetit edhe për një mandat.
Zërat janë shtuar që Osmani mund të kthehet në LDK, ose ta krijojë një iniciativë apo parti tjetër politike.